Lidhje

Reagime pas dënimit me 20 vite burg të Ghislaine Maxwell


PEOPLE-GHISLAINE MAXWELL/

Shtetasja britanike, Ghislaine Maxwell u dënua të martën me 20 vjet burg nga Gjykata Federale në Manhatan nën akuzën se ka ndihmuar financierin e pasur, Jeffrey Epstein të abuzojë me vajza të mitura. Viktimat e tyre janë shprehur se dënimi megjithëse më i vogël se sa u kërkuar nga prokurorët, u jep qetësinë e kërkuar prej shumë vitesh.

Reagime pas dënimit me 20 vite burg të Ghislaine Maxwell
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Sarah Ransome, një nga viktimat e shumta të Ghislaine Maxwell-it nuk mund të përmbante gëzimin, që ndjeu pas dënimit të ish-bashkëpunëtores së Jeffrey Epstein-it me 20 vjet burg.

Ajo u largua nga Gjykata Federale në Manhatan së bashku me Elizabeth Stein, një tjetër grua që e akuzon Maxwell-in se ka rekrutuar vajza të mitura, të cilat më pas janë përdhunuar nga Epstein.

Unë dhe shumë të mbijetuara të tjera kemi kaluar një rrugë të gjatë për të arritur deri te drejtësia. Kjo i kushtohet vajzave që nuk patën mundësi të thonë atë që kishin për të thënë, apo ato që fatkeqësisht nuk janë më me ne”, tha zonja Ransome.

Dënimi i të martes mbyll një proces, gjatë të cilit dolën hollësi të shumta se si Epstein dhe Maxwell kanë shfrytëzuar pasurinë dhe lidhjet e rëndësishme për të abuzuar me vajzat e mitura.

Disa prej vajzave kanë qënë vetëm 14 vjeç. Në mesin e personave të njohur, që mediat amerikane njoftojnë se çifti mbante lidhje, gjatë kohës që janë kryer abuzimet, permenden edhe ish presidentët amerikanë, Bill Clinton dhe Donald Trump, por edhe Princi Andrew nga familja mbretërore britanike.

Prokurorët kërkuan dënimin nga 30 deri në 55 vjet për Maxwell. Megjithatë, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe një gjobë prej 750 mijë dollarësh, që gjykatësja Alison J. Nathan tha se përcjell mesazhin e qartë se këto krime nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar.

Avokatja mbrojtëse tha se Maxwell nuk iu ofrua proces i drejtë gjyqësor.

Klientja jonë, Ghislaine Maxwell, është fyer, përdhosur dhe kjo i ka lënë pak hapësirë për t'u trajtuar me drejtësi, sepse edhe para se të hynte në këtë gjykatë, ajo po gjykohej dhe dënohej nga opinioni publik. Ghislaine do ta apelojë këtë çështje dhe ne kemi besim se ajo do të triumfojë në apel”, tha zonja Sternheim.

Në seancën e së martës, Ghislaine Maxwell shprehu keqardhje për viktimat dhe shtoi se njohja me Epstein-in është pendesa më e madhe e jetës së saj.

Do të doja që asaj t’i vinte keq kur më fuste me zor në dhomën ku do të përdhunohesha. Për këtë do të doja që asaj t’i vinte keq. Ajo duhej të kërkonte falje atëherë. Në fakt, për përdhunimin nuk mund të ketë ndjesë”, tha zonja Ransom.

Ghislaine Maxwell, nga viti 1994 deri më 2004 ka qenë në lidhje romantike me Jeffrey Epstein-in. Dënimi i saj ka të bëjë pikërisht për këtë periudhë. Ajo u shpall fajtore për rekrutimin e katër vajzave të mitura, që më pas u përdhunuan nga Esptein.

Jeffrey Epstein, nuk doli kurrë në gjyq, pasi në vitin 2019 ai kreu vetvrasje në një qeli në Manhattan ndërsa priste nisjen e procesit gjyqësor.

XS
SM
MD
LG