Lidhje

Gati gjysma e amerikanëve thonë se ndaj ish Presidentit Trump duhen ngritur akuza


Një sondazh i ri tregon se rreth gjysma e amerikanëve thonë se ish-Presidenti Donald Trump duhet të akuzohet për rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, anëtarja republikane e komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton ngjarjet e 6 janarit, Liz Cheney e quajti Donald Trumpin të rrezikshëm dhe të paarsyeshëm, ndërsa akuzoi udhëheqësit e tjerë republikanë se po e mbështesin atë.

Sipas sondazhit të realizuar nga Qendra Kërkimore për Çështjet Publike e agjencisë së lajmeve Associated Press (AP-NORC), 48 për qind e amerikanëve besojnë se zoti Trump duhet të mbahet përgjegjës për atë që ndodhi gjatë sulmit të dhunshëm e vdekjeprurës në Kapitol.

“Sondazhi tregon se gjysma e amerikanëve të rritur mendojnë se Donald Trumpi duhet të akuzohet për një krim, për rolin e tij në atë që ndodhi më 6 janar. Rreth një e treta mendojnë se ai nuk duhet të akuzohet dhe rreth 20 për qind nuk kanë ndonjë qëndrim”, thotë Hannah Fingerhut nga agjencia Associated Press.

Sipas anketës “shumica e demokratëve thonë se Trumpi ishte përgjegjës për ngjarjet në Kapitol më 6 janar”. Nga ana tjetër, vetëm 10 për qind e republikanëve mendojnë se Trumpi duhet të akuzohet për një krim, por 41 për qind e republikanëve mendojnë se ai është pjesërisht përgjegjës për ngjarjet e asaj dite.

Anketimet u kryen pas pesë seancave të para publike nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton ngjarjet e 6 janarit dhe para dëshmisë dramatike në seancën e së martës, të ish-ndihmëses së Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson.

"Nuk shohim ndryshime të mëdha në opinionin rreth ngjarjeve të 6 janarit që nga dhjetori. 58 për qind e amerikanëve thonë se zoti Trump ka shumë përgjegjësi për ngjarjet e asaj dite, ngjashëm me përqindjen e dhjetorit. Megjithatë, sondazhi u bë para seancës së papritur dëgjimore këtë javë që zbuloi më shumë fakte që e lidhin ish-presidentin me dhunën në Kapitol dhe do të ketë seanca dëgjimore shtesë në korrik, thotë zonja Fingerhut.

Dëshmia e së martës e zonjës Hutchinson duket se është prova kryesore e komisionit për ta lidhur ish presidentin me një krim federal. Zonja Hutchinson i tha komisionit hetimor se ish-Presidenti Donald Trump ishte informuar se mes përkrahësve të tij në tubim kishte njerëz të armatosur. Zoti Trump e nxiti turmën të shkonte drejt Kapitolit dhe donte të shkonte edhe vetë me ta, por nuk u lejua nga agjentët e Shërbimit Sekret.

Ndërkohë, ligjvënësja Liz Cheney, një nga dy republikanët në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton sulmin ndaj Kapitolit, tha se ish Presidenti Donald Trump është një kërcënim i brendshëm, me të cilin Shtetet e Bashkuara nuk janë përballur kurrë në të kalurën.

Gjatë një fjalimi të martën në bibliotekën presidenciale Ronald Regan në Kaliforni, ajo shpjegoi arsyet pse e sheh ish presidentin Trump kaq të rrezikshëm.

“Një ish president që po përpiqet të zhbëjë themelet e republikës tonë kushteteuse. Ai po ndihmohet nga udhëheqësit republikanë dhe përfaqësues të zgjedhur, të cilët e kanë bërë veten peng të këtij njeriu të rrezikshëm dhe të paarsyeshëm”, tha zonja Cheney.

Zoti Trump e ka kritikuar ashpër komisionin hetimor, të përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë, duke thënë se ai është i njëanshëm.

Ish presidenti e ka kritikuar hetimin si të padrejtë dhe shumica e republikanëve të Kongresit thonë se i shohin rezultatet e hetimit të komisionit, si të paligjshme.

XS
SM
MD
LG