Lidhje

Shkup: Dështon mocioni i mosbesimit kundër kryetarit të Parlamentit

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e mbylli pak para mesnate debatin mbi një mocion mosbesimi kundër kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, të ngritur nga opozita maqedonase, e cila e akuzon atë për shkeljen e rregullores së parlamentit.

43 deputetë të opozitës votuan për mocionin, ndërsa 61 ligjvënës të koalicionit qeverisës ishin kundër. Që në fillim dihej se opozita nuk mund të arrinte votat e nevojshme për rrëzimin e kreut të parlamentit nga posti. Për ta arritur këtë synim opozitës maqedonase i duheshin votat e më tepër se gjysmës së 120 deputetëve sa ka parlamenti.

Ligjvënësit e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE akuzonin kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi se ka shkelur gjatë një sërë procedurash rregulloren e punës së parlamentit si dhe e ka kthyer institucionin në një “makinë votimi për pazaret kriminale të qeverisë”, siç u shpreh kreu i grupit të deputetëve të opozitës maqedonase.

VMRO-ja ka ngritur mocionin para një muaji, kur deputetët e saj e fajësuan zotin Xhaferi se i kishte mbyllur me çelës dyert e sallës së seancave dhe se kishte kryer në këtë mënyrë, sipas tyre, një vepër penale duke i mbajtur deputetët brenda sallës kundër vullnetit të tyre. Por, kreu i parlamentit shpjegoi të enjten sikur edhe më parë se mbyllja e dyerve lejohet me ligj, ndërsa bëhet numërimi i deputetëve për të konstatuar kuorumin.

Ndërkohë, ligjvënësit e VMRO-së po ashtu akuzuan zotin Xhaferi për sharje dhe ofendime të drejtuara punonjësve të parlamentit. Po ashtu, shprehnin pakënaqësi pse nuk e hoqi deputetin e BDI-së Arbër Ademi nga detyra e kryesuesit të Komisionit për Çështje Evropiane pas një incidenti para pak ditësh, kur ai kishte hedhur sende të forta kundër deputetëve opozitarë.

Por, kryetari i parlamentit si dhe partitë e koalicionit qeveritar, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se opozita po provokon situata të tensionuara, duke penguar zhvillimin e seancave përmes sjelljeve dhe veprimeve agresive.

Zoti Xhaferi u tha deputetëve të VMRO-DMNE-së se duhej ta shikonin së pari veten në pasqyrë para se ta akuzonin atë për shkeljen e ligjeve dhe rregullores së parlamentit,

“Dikush tjetër i hapi dyert në prill të vitit 2017 kur u rrezikuan jetët e deputetëve”, tha ai në lidhje me ngjarjet e dhunshme të atij viti, për të cilat u akuzuan disa ligjvënës të VMRO-së. Ai theksoi se do të vazhdojë të punojë për të mbrojtur integritetin e institucionit të kryetarit të Parlamentit.

Ligjvënësit e BDI-së, nga ana tjetër thonë se Maqedonia e Veriut nuk ka pasur një kryetar më të mirë të Parlamentit se sa zotin Talat Xhaferi.

Vetë kryetari i parlamentit drejtimin e seancës parlamentare ku po diskutohej pothuaj se përgjatë gjithë ditës së enjte për mocionin ndaj tij, ia la zëvendësit të tij, Goran Misovski.

This item is part of
XS
SM
MD
LG