Lidhje

Covid-19 në Shqipëri: Vaksinimet në nivele të ulëta, rriten infektimet


Në Tiranë, ekspertët e shëndetit publik shprehën shqetësim për vaksinimin ende të ulët të popullatës për t’u mbrojtur nga Covid- 19.

Sipas të dhënave zyrtare, më pak se 50 për qind e popullatës është vaksinuar me dy doza, vaksinimi me dozën e tretë është vetëm 13 për qind, ndërsa vaksinimi me dozën e katërt është i papërfillshëm.

COVID-19 në Shqipëri: Vaksinimet në nivele të ulëta, rriten infektimet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Dy javët e fundit është rritur numri i qytetarëve të infektuar dhe janë khtyer vdekjet e disa pacientëve me Covid.

Ndaj Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën e Covid-19 u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen me dozën e tretë.

Ekspertët e shëndetit publik bënë të ditur se javën e parë të korrikut po shtrohen në spital 5-6 pacientë çdo ditë të prekur nga Covid19 dhe variante të reja dhe është regjistruar një shtim i infektimeve në të gjithë vendin.

Mjekët pohojnë se pacientët e shtruar në spital janë të pavaksinuar, ose persona që e kanë lënë në mes vaksinimin me vetëm një dozë.

Ata pohojnë se aktualisht është e domosdoshme doza e tretë e vaksinës për moshat mbi 60 vjeç dhe nevojitet të vazhdojë vaksinimi në moshat e tjera, të cilat janë ende në nivele të ulëta.

Zëvendës ministrja e shëndetësisë, Eugena Tomini, thotë se është regjistruar një trend në rritje në gjithë Shqipërinë e infektimeve, mjekimeve dhe shtrimeve në spitale.

“Në 90 për qind të bashkive janë regjistruar raste aktive me Covid, ndaj duhet sa më parë qytetarët të kthehen tek vaksinimi me dozën e tretë dhe të katërt, për një mbrojtje më të mirë të jetës dhe shëndetit të tyre” - thotë zonja Tomini.

Sipas të dhënave zyrtare, vaksinimi i plotë primar i popullatës me dy doza është afro 49 për qind, përqindja e vaksinimit me dozën e tretë është 13 për qind, ndërsa vaksinimi me dozën e katërt është i papërfillshëm.

Vaksinimet më të larta janë në moshat e treta dhe sa më shumë ulet mosha aq më shumë ulet edhe vaksinimi.

Përqindja ditore dhe javore e vaksnimeve mbetet e ulët, madje ka shënuar një rënie pikërisht këtë javë, kur infektimet janë rritur.

Komiteti Teknik i Ekspertëve u bëri sot thirrje qytetarëve të të gjithë moshave që të vaksinohen me dozën e tretë për t’u mbrojtur sa më mirë nga Covid-19, Omikron dhe nënvariante të virusit.

“Moshat e treta nga 60 vjeç e lart e kanë të domosdoshme dozën e tretë të vaksinës, ndërsa ata që kanë mbetur me një dozë duhet sa më parë të vazhdojnë vaksnimin, sepse ndërprerja e vaksinimit i rrezikon të gjithë, veten dhe njerëzit përreth” - thotë ekspertja Silva Bino.

Ekspertë të pavarur pohojnë se megjithë rritjen e infektimeve, nuk ka vend për panik, sepse popullata e ka arritur imunitetin masiv, gjë që është provuar në shumë raste.

Ata pohojnë se gjendja në spitale është e qetë dhe e përballueshme, por vaksinimi sistematik është me rëndësi në mbrojtjen e shëndetit dhe në parandalimin e infektimit.

Shqipëria ka reduktuar në minimum masat anti-Covid pas uljes së infektimeve dhe zbrazjes së spitaleve nga mijëra pacientë prej disa muajsh.

XS
SM
MD
LG