Lidhje

Turqia përballet me pikëpyetje të mëtejshme për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë


Një anije ruse duke kaluar në Ngushticën e Bosforit

Autoritetet turke kanë ndaluar një anije ruse, për të cilën Kievi thotë se po transporton drith të vjedhur. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, kjo lëvizje vjen ndërsa Turqia po përballet me akuza se ka sabotuar sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Turqia përballet me pikëpyetje të mëtejshme për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Që të dielën, autoritetet turke kanë ndaluar një anije transporti me flamur rus, pasi Kievi tha se po transporton drith të vjedhur. Ngarkesa e anijes po hetohet pranë portit turk Karasu, në Detin e Zi, pranë Ngushticës së Bosforit në Stamboll, që shërben si pikë kalimi drejt tregjeve botërore. Analistët e shohin këtë masë ndalimi si një gjest të rëndësishëm për Ukrainën.

“Ukraina vazhdon të jetë një shtet i pavarur; në situatë lufte, por i pavarur. Kërkesa e tyre që Turqia t’i kontrollojë këto anije është e drejtë dhe Turqia veproi siç duhet. Ekzistojnë akuza dhe kërkesa që Turqia ta ndalë praktikën e vjedhjes së drithit, që siç thotë qeveria ukrainase është e paligjshme”, i tha Zërit të Amerikës Hysen Bagci, nga Instituti i Politikës së Jashtme.

Muajin e kaluar, ambasadori i Ukrainës në Turqi, Vasyl Bodnar, akuzoi kompanitë turke se po blejnë drithin e vjedhur ukrainas.

Një anije mallrash turke u nis rishtazi nga një port në Ukrainë, të pushtuar nga forcat ruse, pas negociatave me Moskën. Nuk është e qartë nëse anija transportonte drith. Megjithatë, mediat ndërkombëtare vazhdojnë të raportojnë se drithi nga pjesët e pushtuara të Ukrainës po importohet nga Turqia. Ankaraja i mohon me forcë këto akuza.

“Po i marrim seriozisht të gjitha pretendimet dhe po i hetojmë shumë seriozisht. Rezultatet ia bëjmë gjithnjë të ditura palës ukrainase”, tha Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Ankaraja nuk i zbaton sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.

Në kuadrin e përpjekjeve për të tërhequr më shumë turistë rusë, tek të cilët mbështetet Turqia, bankat turke iu bashkuan sistemit rus të pagesave “Mir”, që Moska po e përdor për të shmangur ndalimet ndaj kartave ndërkombëtare të kreditit.

Lëvizje të tilla i kanë shtuar shqetësimet për rolin e Turqisë në prishjen e sanksioneve financiare.

Turqit mendojnë se nuk iu leverdis t’i bashkohen regjimit të sanksioneve. Kam dëgjuar madje nga zyrtarë të ndryshëm turq, se e shohin këtë ndoshta edhe si mundësi për të krijuar të ardhura”, i tha Zërit të Amerikës Timothy Ash, nga kompania financiare “Bluebay Asset Management”.

Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo, vizitoi në qershor Ankaranë për të biseduar për zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Analistët paralajmërojnë se Turqia mund të bëhet subjekt i sanksioneve të mëtejshme nga Uashingtoni.

Por, Ankaraja thotë se zbatimi i sanksioneve, do të rrezikonte përpjekjet e saj për të ndërmjetësuar mes Kievit dhe Moskës.

“Ka një lloj pranimi nga aleatët perëndimorë se Turqia është e përfshirë në këtë manovrim dhe se nuk do t’i ndërpresë marrëdhëniet me Rusinë. Se do t’i duhet të manovrojë mes Rusisë dhe Perëndimit. Dhe për shkak se Turqia është kaq e rëndësishme gjeopolitikisht në Detin e Zi me ngushticat e saj detare, ekziston një lloj tolerance”, thotë për Zërin e Amerikës Asli Aydintasbas, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se do të mbajë bisedime me Ukrainën dhe se udhëheqësit rusë duhet ta lirojnë drithin e bllokuar ukrainas, ndërkohë që çmimet e ushqimeve në tregun ndërkombëtar vazhdojnë të rriten.

XS
SM
MD
LG