Në Tiranë, Këshilli parlamentar për Mandatet dhe Imunitetin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me avokatin e deputetes Olta Xhaçka, në vazhdën e mocionit të deputetëve opozitarë për papajtueshmëri dhe mbarimin të mandatit të saj.
Deputetët e opozitës theksojnë në mocion se deputetja Xhaçka ka shkelur Kushtetutën dhe është në konflikt interesi, për sa kohë shoqëria e bashkëshortit të saj ka marrë statusin e investitorit strategjik si dhe të drejtën e përdorimit të bregut të detit pranë objektit që pritet të ndërtohet.
Deputetja socialiste dhe ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka pritej sot të vinte për një dëgjesë në Këshillin parlamentar për Mandatet dhe Imunitetin, për t’iu përgjigjur mocionit të deputetëve të opozitës, sipas të cilëve, ajo është në konflikt interesi dhe në shkelje të Kushtetutës për shkak të investimeve të bashkëshortit të saj.
Por para këshillit, në emër të saj, erdhi avokati Genc Çifligu, i cili theksoi se “deputetja Xhaçka nuk ka shkelur ndonjë ligj dhe se bashkëshorti po investon në pronën private të shoqërisë së tij”. Ai përsëriti se “kjo çështje nuk është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese për sa kohë deputetja Xhaçka nuk ka përfituar nga prona shtetërore apo në pushtet vendor”.
Por deputetët e opozitës pohuan që pas rrëzimit të kërkesës për hetime parlamentare mbi investimet strategjike, shumica socialiste po përpiqet të shmangë shqyrtimin e mocionit për mandatin e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti i Partisë Demokratike të opozitës, Gazmend Bardhi, tha se “rasti i konfliktit të interesit i zonjës Xhaçka nuk është i vetmi në radhët e socialistëve, të cilët po përpiqen ta mbyllin këtë çështje, dhe bashkë me të duan të mbulojnë edhe shumë raste të tjera abuzive”. Ai shtoi se “këtë procedurë e ka bërë të detyrueshme vet Gjykata Kushtetuese, e cila ka juridiksionin për mandatet e deputetëve”.
Shoqëria e bashkëshortit të deputetes Xhaçka ka marrë në shtatorin e vitit të kaluar statusin e investitorit strategjik prej Komitetit të Investimeve Strategjike, një institucion i ri i drejtuar nga qeveria.
Shoqëria e bashkëshortit të deputetes e mori këtë status për të ndërtuar një objekt turistik Drimades Luxury Suits 10 mijë 500 metra katror në një truall pronë private në fshatin Gjilekë të Himarës.
Pas kësaj qeveria ka krijuar mundësinë që të shfrytëzojë bregdetin e zonës së plazhit përballë kompleksit, hapësira që janë prona të paluajtshme publike.
Bashkëshorti i deputetes i ka deklaruar rrjetit investigativ BIRN, se për të shmangur konfliktin e interesit, ai është lidhur me një shoqëri amerikane me përvojë në menaxhimin e investimit dhe plazheve, që do të menaxhojë hapësirën bregdetare përpara kompleksit të tij.
Por shoqëria tjetër, e cila po ashtu ka marrë statusin e investitorit strategjik, është në pronësi të partneres së vëllait të deputetes Xhaçka.