Lidhje

Shërbimi Sekret fshiu mesazhet e 6 janarit


Gjatë paraqitjes së një raporti të Shërbimit Sekret në komisionin hetimor për sulmin e 6 janarit (Uashington, 28 qershor 2022)

UASHINGTON – Agjentët e Shërbimit Sekret kanë fshirë mesazhet e marra dhe të dërguara pranë kohës së sulmit më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, megjithëse një inspektor i përgjithshëm i kërkoi këto mesazhe në kuadrin e hetimit të sulmit, konkludon një agjenci mbikqyrëse e qeverisë amerikane.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, shprehet në një letër të siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press se mesazhet mes datave 5 dhe 6 janar 2021 ishin fshirë “në kuadrin e një programi për zëvendësimin e paisjeve”. Fshirja është bërë pasi kjo zyrë mbikqyrëse kërkoi të dhënat e komunikimeve elektronike mes agjentëve, në kuadrin e hetimit për ngjarjet përreth sulmit të 6 janarit.

Gjithashtu, personelit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare u janë dhënë udhëzime të mos i japin të dhëna inspektorit të përgjithshëm dhe se të dhënat e tilla duhet të shqyrtoheshin fillimisht nga juristët e departamentit.

“Ky proces shqyrtimi i shkaktoi vonesa me javë të tëra Inspektorit të Përgjithshëm për të marrë të dhënat dhe krijoi konfuzion nëse ishin dorëzuar të gjitha të dhënat e kërkuara”, thuhet në letër, e cila mbante datën e së mërkurës dhe i është dërguar drejtuesve të Komisioneve për Sigurinë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se “i marrim shumë seriozisht akuza të tilla false dhe do të përgjigjem me hollësi së shpejti”.

Fshirja e mesazheve do të ngrejë me siguri pikëpyetje të reja për komisionin e posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit, i cili ka rishfaqur interesim për rolin e Shërbimit Sekret, pas dëshmisë dramatike të ish-ndihmëses së Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson, për veprimet e ish-Presidentit Donald Trump në ditën e sulmit.

Ish-Presidenti Trump duke përshëndetur nga makina e drejtuar nga Shërbimit Sekret (2 tetor 2020)
Ish-Presidenti Trump duke përshëndetur nga makina e drejtuar nga Shërbimit Sekret (2 tetor 2020)

Zonja Hutchinson tregoi se si i ishte rrëfyer një përplasje mes ish-Presidentit Trump dhe ekipit të tij të sigurisë të përbërë nga agjentë të Shërbimit Sekret, ndërsa ai kërkonte me zemërim që të çohej me makinë në Kapitol, godinën e Kongresit, ku pak më vonë mbështetësit e tij do të hynin me forcë. Ajo gjithashtu tregoi se pati dëgjuar ish-Presidentin Trump t’i thoshte zyrtarëve të sigurisë që të hiqnin paisjet për kontrollin e armëve për tubimin e tij në Uashington, megjithëse disa prej mbështetësve të tij ishin të armatosur.

Ky version u kundërshtua me shpejtësi nga agjentët. Robert Engel, agjenti që drejtonte makinën presidenciale, si dhe zyrtari i ekipit të sigurisë të ish-Presidentit Trump, Tony Ornato, u shprehën të gatshëm të dëshmojnë pas të jenë betuar ligjërisht, se nuk u sulmua asnjë agjent dhe se ish-Presidenti Trump nuk u mundua ndonjëherë të kapte timonin e makinës, i tha agjensisë së lajmeve Associated Press një person i njohur me çështjen dhe që kërkoi t’i ruhej anonimati.

XS
SM
MD
LG