Lidhje

Presidenti Biden ngre çështjen "Khashoggi" në takimin me Princin saudit të Kurorës


Saudi Crown Prince Mohammed bin Salman fist bumps U.S. President Joe Biden upon his arrival at Al Salman Palace, in Jeddah
Saudi Crown Prince Mohammed bin Salman fist bumps U.S. President Joe Biden upon his arrival at Al Salman Palace, in Jeddah

Xhedah, Arabia Saudite (AP) - Presidenti Joe Biden tha se ai ngriti çështjen e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në fillim të takimit të tij me Princin Saudit të Kurorës Mohammed bin Salman të premten.

"I thashë hapur - që një president amerikan të heshtë për një çështje të të drejtave të njeriut nuk është në përputhje me vlerat tona dhe me mua" tha presidenti Biden. "Unë gjithmonë do të mbroj vlerat tona."

Inteligjenca amerikane beson se princi i kurorës ka të ngjarë të ketë miratuar vrasjen e Jamal Khashoggit, një opinionist me bazë në SHBA, katër vjet më parë.

Presidenti Biden tha se Princi Mohammed pretendoi se ai "nuk ishte personalisht përgjegjës" për vdekjen e gazetarit. "I thash se mendoja se ai ishte përgjegjës", tha presidenti.

Ishte takimi i parë mes dy udhëheqësve, që filloi me një përplasje të grushtave jashtë pallatit mbretëror në Xhedah, në një marrëdhënie që mund të rindërtojë partneritetet e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe rrjedhën e naftës në mbarë botën.

Tani për tani, duket se ata po hedhin hapa të rëndësishëm së bashku. Presidenti Biden njoftoi se paqeruajtësit amerikanë do të largohen nga ishulli Tiran i Detit të Kuq deri në fund të vitit.

Arabia Saudite shpreson të zhvillojë atraksione turistike atje, si pjesë e përpjekjeve të mbretërisë për të zgjeruar ekonominë e saj përtej eksportit të naftës. Për shkak të një marrëveshjeje komplekse diplomatike që rregullon kontrollin e ishullit me vendndodhje strategjike, largimi i Amerikës kërkonte gjithashtu pëlqimin e Izraelit dhe marrëveshja ishte reflektimi i fundit i marrëdhënieve më të ngrohta mes izraelitëve dhe sauditëve.

Marrëveshja pasoi një njoftim të mëparshëm se sauditët po u jepnin fund kufizimeve të rrepta në fluturimet tregtare izraelite mbi territorin e tyre.

Presidenti Biden tha gjithashtu se po bëhej përparim në zgjatjen e armëpushimit në Jemen, ku Arabia Saudite ka luftuar me militantët e mbështetur nga Irani, duke çuar në një krizë humanitare.

USA-SAUDI/ENERGY
USA-SAUDI/ENERGY

Tre orët e presidentit në pallatin mbretëror në Xhedah u panë si një fitore diplomatike për Princin e Kurorës, i cili është përpjekur të rehabilitojë imazhin e tij, të tërheqë investime në mbretëri për planet e tij të reformës dhe të forcojë marrëdhëniet e sigurisë së mbretërisë me SHBA.

USA-SAUDI/
USA-SAUDI/

Presidenti Biden dukej se e trajtoi takimin si një hap të domosdoshëm, por disi të papëlqyeshëm për të përmirësuar marrëdhëniet me eksportuesin kryesor të naftës në botë, në një kohë të rritjes së çmimeve të gazit dhe shqetësimeve për ambicjet bërthamore të Iranit.

Takimi solli zemërimin e kritikëve që besojnë se presidenti po braktiste premtimet e tij për të drejtat e njeriut, veçanërisht kur bëhet fjalë për vrasjen e Jamal Khashoggit, një opinionist me bazë në SHBA, i cili shkroi për gazetën The Washington Post.

“Përshëndetja me përplasjen e grushtave mes Presidentit Biden dhe Mohammed bin Salman ishte më keq se një shtrëngim duarsh – ishte e turpshme”, tha në një deklaratë Fred Ryan, botuesi i gazetës Post. "Ajo reflektonte një nivel afrimiteti dhe rehatie që i jep mbretërisë shfajësimin e pajustifikuar që ai po e kërkonte me dëshpërim".

Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë pritshmëritë për çdo rritje të menjëhershme të prodhimit të naftës saudite, e cila mund të ndihmojë në zbutjen e çmimeve të larta të gazit që janë politikisht të dëmshme për Presidentin Biden në vend. Por Shtëpia e Bardhë tha se parashikonte "hapa të mëtejshëm" gjatë javëve të ardhshme që "do të ndihmojnë në stabilizimin e tregjeve në mënyrë të konsiderueshme".

Marrëveshja aktuale e OPEC+ skadon në shtator, duke hapur pas kësaj derën për një prodhim potencialisht më të lartë.

Rritja e çmimeve të gazit, të cilat u ndërlikuan nga sulmi rus në Ukrainë, janë një nga faktorët që e shtynë Presidentin Biden të rivlerësojë qasjen e tij ndaj Arabisë Saudite.

Presidenti amerikan kishte refuzuar prej kohësh të fliste me Princin Mohammed, trashëgimtarin e supozuar të fronit që aktualisht mbahet nga babai i tij, Mbreti Salman. Por këto shqetësime janë eklipsuar nga sfida të tjera, përfshi agresionin iranian në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e lëkundura për të përdorur diplomacinë për të parandaluar Teheranin të ndërtojë një armë bërthamore.

Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite dëshiron të forcojë marrëdhëniet e saj të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe të sigurojë investime për të transformuar ekonominë e saj në një ekonomi më pak të varur nga nxjerrja e naftës.

Sauditët kishin organizuar një pritje të përmbajtur për Presidentin Biden në aeroportin në Xhedah, ndryshe nga ceremonitë që shoqëruan vizitën e tij këtë javë në Izrael. Presidenti Biden u përshëndet nga guvernatori i Mekës, Princi Khalid bin Faisal dhe ambasadorja e Arabisë Saudite në SHBA, Princesha Reema bint Bandar, dhe më pas shkoi me limuzinë në pallatin mbretëror.

Presidenti më vonë u takua me Mbretin Salman, monarkun 86-vjeçar i cili ka vuajtur nga shëndeti i dobët, duke përfshirë dy shtrime në spital këtë vit. Gazetarët nuk u lejuan të hynin në dhomë, por sauditët publikuan video të Presidentit Biden duke shtrënguar duart me mbretin, ndërsa Princi i Kurorës i vështronte.

Saudi King Salman bin Abdulaziz receives U.S. President Joe Biden at Al Salman Palace upon his arrival in Jeddah
Saudi King Salman bin Abdulaziz receives U.S. President Joe Biden at Al Salman Palace upon his arrival in Jeddah

Më pas, Presidenti Biden dhe Princi Mohammed zhvilluan një takim më të gjerë me disa këshilltarë. Të dy udhëheqësit u ulën përballë njëri-tjetrit, një pozicionim që krijonte perceptimin se ata janë homologë. Është një imazh që Princi i Kurorës, i njohur me inicialet e tij MBS, ka qenë i etur të krijojë ndërsa forcon rrugën e tij drejt fronit pas anashkalimit, ndalimit dhe sekuestrimit të pasurive të rivalëve mbretërorë dhe kritikëve.

Ka pasur spekulime të konsiderueshme se si zoti Biden do ta trajtonte vizitën në Arabinë Saudite, qoftë nga pikëpamja e jashtme ashtu edhe për nga thelbi i saj, ndërsa në cilësinë e kandidatit për president, ai e ka kritikuar këtë vend lidhur me qasjen ndaj të drejtave të njeriut.

Qasja për gazetarët ishte e kufizuar. Gazetarët që udhëtuan me presidentin nuk ishin të pranishme kur zoti Biden trokiti grushtat me Princin e Kurorës dhe gazetarët u lejuan vetëm për pak kohë në takimin e tyre. Pothuajse asnjë nga komentet e tyre nuk mund të dëgjoheshin. Presidenti Biden nuk u përgjigj kur gazetarët e pyetën nëse ai ende e konsideronte Arabinë Saudite një vend të pabesë. As Princi Mohammed nuk iu përgjigj një pyetjeje me zë të lartë nëse ai do t'i kërkonte falje familjes së të ndjerit Khashoggi.

Vitin e kaluar, administrata Biden lejoi publikimin e një raporti të zbulimit amerikan që përcaktonte se princi i kurorës kishte të ngjarë të kishte miratuar vrasjen e gazetarit Khashoggi. Publikimi i raportit shkaktoi një krisje të mëtejshme në marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite.

Pikëpamjet e mia mbi çështjen Khashoggi kanë qenë absolutisht të qarta. Dhe kurrë nuk kam heshtur për sa i takon të drejtave të njeriut”, ka thënë zoti Biden. “Arsyeja pse po shkoj në Arabinë Saudite është shumë më e gjerë. Është për të mbështetur interesat e SHBA-ve, në një mënyrë që sipas mendimit tim e kemi bërë gabim, duke u hequr dorë: nga ndikimi ynë në Lindjen e Mesme”.

Të shtunën, Presidenti Biden do të marrë pjesë në një mbledhje të udhëheqësve nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit – Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – përpara se të kthehet në Uashington. Udhëheqësit e vendeve fqinje të Lindjes së Mesme, Egjiptit, Irakut dhe Jordanisë do të marrin pjesë gjithashtu, dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha se Presidenti Biden do të bënte një "deklaratë të rëndësishme" mbi vizionin e tij për Lindjen e Mesme.

Vizita në Arabinë Saudite është një nga më delikatet për Presidentin Biden në skenën ndërkombëtare. Çdo sukses në qetësimin e marrëdhënieve mund të sjellë përfitime diplomatike pasi presidenti kërkon të sigurojë stabilitet në rajon.

Por kjo gjithashtu mund ta verë Presidentin Biden, i cili tashmë ka rënë në sondazhet e opinionit në vend, përballë kritikave më të thella se ai po tërhiqet nga premtimet e tij për të vendosur të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme.

“Nëse do të kishim nevojë ndonjëherë për një kujtesë vizuale të kontrollit të vazhdueshëm që autokratët e pasur me naftë kanë mbi politikën e jashtme të SHBA-së në Lindjen e Mesme, ne e morëm atë sot”, shkroi në Twitter ligjvënësi Adam Schiff, demokrat nga Kalifornia. "Një përshëndetje me grusht vlen sa një mijë fjalë".

E fejuara e gazetarit të ndjerë Khashoggi, Hatice Cengiz, tha se me vizitën në Arabinë Saudite, Presidenti Biden po tërhiqej nga të drejtat e njeriut.

Ajo i tha agjencisë Associated Press në një intervistë të enjten, “Është shqetësuese dhe zhgënjyese. Dhe Bideni do të humbasë autoritetin e tij moral duke vënë naftën dhe lehtësirat mbi parimet dhe vlerat.”

XS
SM
MD
LG