Lidhje

Shqipëri, pozita social-ekonomike e gruas shqiptare në një muze


Pozita social-ekonomike e gruas shqiptare në një muze
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Pozita social-ekonomike e gruas shqiptare në një muze

Muzeu u gruas është hapur në një nga shtëpitë e vjetra të qytetit të Shkodrës, në qendër të tij. Është kjo një nisëm joqeveritare e organizatës “Gruaja tek Gruaja’, që synon të hedh dritë mbi problematikat që e shoqëruan gruan shqiptare përgjatë historisë. Tonila Çela, punonjëse sociale pranë kësaj organizate, thotë se muzeu sjell pamje të ndryshme të jetës së gruas shqiptare.

“Dy katet e Muzeut të Gruas i janë dedikuar dy realiteteve, dy dimencioneve. Në kati e poshtëm, nëpërmjet tre odave, vjen realiteti i gruas së nënshtruar, i gruas që nuk ja doli asnjë herë sepse ishin djemtë edhe burrat që vendosnin për jetën e saj. Ndërsa, në katin e sipërm gjejmë gra edhe vajza shqiptare te suksesshme, të cilat, pavarësisht sfidave dhe gjithë pengesave dhe vështirësive që hasën në jetë, ja dolën për me triumfu si gra të sukseshme”, thotë ajo.

Mjediset e brendëshme të Muzeut të Gruas pasqyrojnë pozitën e saj në familje dhe shoqërinë shqiptare gjatë shekujve, mungesën e të drejtave dhe lirive, pozitën inferiore ndaj burrit, nënvlerësimin e saj, detyrimin për të shërbyer brenda shtëpisë si dhe dhunën e vazhdueshme të ushtruar ndaj saj.

Foto, objekte dhe pjesë nga shtypi sjellin në këtë muze raste të shumta të dhunës së ushtruar ndaj grave dhe vajzave edhe gjatë viteve te fundit, të periudhës paskomuniste, tregues ky që shoqëria shqiptare vazhdon të mbajë një qëndrim të ndryshëm ndaj grave dhe burrave.

Një pjesë e mjediseve të Muzeut të Gruas i është kushtuar përpjekjeve të bëra vitet e fundit nga gratë dhe strukturat e shoqërisë shqiptare për fuqizimin, jo vetëm ekonomik, por edhe social të tyre.

Drejtuesja e organizatës “Gruaja tek Gruaja”, Trëndelina Boriçi, thotë se në muze, krahas problematikave që shoqërojnë jetën e gruas, pasqyrohen edhe shembuj të përpjekjeve të tyre për të kapërcyer barrierat dhe për tu fuqizuar ekonomikisht.

“Në këto foto pasqyrohet një pjesë tjetër e një gruaje që tregon për fuqizimin e saj, se si, kur gruas i jepen mundësitë e duhura, i jepet mbështetja e duhur, ajo mund të tregojë vlerat dhe potencialin e saj”, thotë ajo.

Drejtuesja e organizates “Gruaja tek Gruaja’ thotë se, vitet e fundit janë një numër grashë, të cilat, duke u mbështetur në traditat e tyre të pasura në punimet artizanale brenda shtëpisë, kanë arritur të hapin biznese të suksesshme, ç’ka dëshmon për mundësistë e fuqizimit ekonomik të tyre.

Përmes mbishkrimeve, objekteve dhe fotove, Muzeu i Gruas sjell në mënyrë të përmbledhur dhe domethënese jetën e trazuar të gruas shqiptare, mbushur me dhëmbje, sakrifica, përkushtim dhe dëshmi rrënqethëse.

“Një shtëpie të vjetër shkodrane i jepet jetë duke ofru këtë muze të gruas për të kuptu se cili është realiteti. Një realitet që vjen me dhunën në familje, me dhunën me bazë gjinore, e ndjekur përgjatë të gjithë historis, por gjithashtu edhe me gruan e suksesshme, me gruan shqiptare, e cila ja del mbas shumë sakrificave në jetën e saj”.

I ndërtuar në qendër te qytetit të Shkodrës “Muzeu i Gruas’ është i pari i këtij lloji, i ngritur në Shqipëri, i cili po tërheq vizitorë të shumtë.

XS
SM
MD
LG