Bashkimi Evropian nuk mund të përballojë më që vendet e tij të kenë të drejtën e vetos kur vendoset për politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, nëse do që të ketë rol udhëheqës në politikën globale, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
Në një artikull të botuar nga gazeta Frankfurter Allgemeine të dielën, zoti Scholz thotë se lufta e Moskës në Ukrainë e bën unitetin në Evropë gjithnjë e më urgjent dhe rrit presionin për t'i dhënë fund "bllokadave egoiste" të vendimeve evropiane nga shtetet e veçanta anëtare.
"E thënë thjesht, ne nuk mund të përballojmë më të kemi veto kombëtare, si për shembull në politikën e jashtme, nëse duam që të vazhdojë të na dëgjohet zëri në një botë fuqish të mëdha konkurruese," shtoi ai.
Zoti Scholz është përballur me kritika nga Kievi dhe aleatët e tjerë perëndimorë se Gjermania nuk ka marrë një pozicion udhëheqës për krizën në Ukrainë, një akuzë që kancelari gjerman e ka mohuar.
Agresioni rus, solli një ndryshim të madh në politikën e mbrojtjes së Gjermanisë pas dekadash me një rol të kufizuar ushtarak.
Konflikti e ka nxitur gjithashtu Berlinin drejt një roli më aktiv në politikën e jashtme në arenën globale, falë edhe presidencës së radhës në Grupin e Shtatë vendeve më të industrializuara këtë vit.
Zoti Scholz tha se G7 dhe vendet e tjera mund të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje për krizën ushqimore në botë, ndryshimin e klimës dhe pandeminë nëse Gjermania merr rol përparësor për Evropën dhe botën.
Ai tha se Gjermania do të bëjë propozime për politikën e përbashkët evropiane të migracionit, konsolidimin e mbrojtjes evropiane, sovranitetin teknologjik dhe qëndrueshmërinë demokratike në muajt e ardhshëm.