Lidhje

Presidenti rus në Teheran për bisedime me udhëheqësit e Iranit dhe Turqisë


Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Iran, që fillon të martën, synon të thellojë lidhjet me dy fuqitë rajonale si pjesë e sfidës së Moskës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në mes të fushatës së saj të ashpër në Ukrainë.

Në udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që kur tanket ruse u futën në Ukrainën fqinje në muajin shkurt, presidenti Putin do të bisedojë me presidentin e Iranit Ebrahim Raisi dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan rreth çështjeve të ngutshme me të cilat përballet rajoni, përfshirë konfliktin në Siri dhe propozimin e mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas për të lehtësuar krizën globale të ushqimit.

Ndërsa perëndimi po shton sanksionet ndaj Rusisë dhe fushata e saj e kushtueshme në Ukrainë po zvarritet, presidenti Putin synon të forcojë lidhjet me Teheranin, një shënjestër tjetër e sanksioneve të ashpra amerikane dhe një partner i mundshëm ushtarak dhe tregtar. Shtëpia e Bardhë pretendon se në javët e fundit, zyrtarët rusë vizituan një aeroport në Iranin qendror të paktën dy herë për të parë dronët e Teheranit dhe përdorimin e mundshëm të tyre në Ukrainë.

Por, mbase më e rëndësishmja, Teherani i ofron presidentit Putin mundësinë për një takim me presidentin Erdogan, i cili është ofruar të ndihmojë ndërmjetësimin e bisedimeve për një zgjidhje paqësore të konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe të ndihmojë negociatat për të zhbllokuar eksportet e grurit ukrainas përmes Detit të Zi.

Turqia, një anëtare e NATO-s, është gjetur përballë Rusisë në konflikte të përgjakshme në Azerbajxhan, Libi dhe Siri. Por Turqia nuk ka vendosur sanksione ndaj Kremlinit, duke e bërë atë një partner shumë të nevojshëm për Moskën. Duke u përballur me inflacionin e lartë dhe një monedhë që zhvlerësohet me shpejtësi, Turqia gjithashtu mbështetet në tregun rus.

Takimi ka kuptim simbolik edhe për opinionin e brendshëm të presidentit Putin, për të treguar ndikimin ndërkombëtar të Rusisë ndërsa ajo izolohet gjithnjë e më shumë dhe zhytet më thellë në konfrontim me Perëndimin. Takimi mbahet disa ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden vizitoi Izraelin dhe Arabinë Saudite, rivalët kryesorë të Teheranit në rajon.

Nga Jerusalemi dhe Xhedah, presidenti Biden u kërkoi Izraelit dhe vendeve arabe t’i kundërvihen ndikimit rus, kinez dhe iranian që është zgjeruar bashkë me ndjesinë e tërheqjes së Amerikës nga rajoni.

Ishte një punë e vështirë. Izraeli mban marrëdhënie të mira me presidentin Putin, një domosdoshmëri duke pasur parasysh praninë ruse në Siri, fqinjin verilindor të Izraelit dhe shënjestër e shpeshtë të sulmeve ajrore të tij. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë refuzuar deri më tani të shtojnë prodhimin e naftës përtej një plani të miratuar nga aleanca e tyre energjetike me Moskën.

Por, të gjitha këto vende, pavarësisht rivaliteteve të vjetra, mund të bien dakord për t’u afruar me njëri tjetrin kundër Iranit, i cili ka përparuar me shpejtësi programin e tij bërthamor që kur ish presidenti Donald Trump braktisi marrëveshjen bërthamore me Teheranin dhe rivendosi sanksione shkatërruese. Bisedimet për të rivendosur marrëveshjen janë bllokuar. Në udhëtimin e tij, presidenti Biden tha se do të ishte i gatshëm të përdorte forcën ushtarake kundër Iranit si mjetin e fundit.

E mbështetur për muri nga perëndimi dhe rivalët e tij rajonalë, qeveria iraniane e sheh partneritetin taktik me Rusinë shumë të rëndësishëm.

Në qendër të bisedimeve mes tre presidentëve do të jetë konflikti dhjetëvjeçar në Siri, ku Irani dhe Rusia mbështesin qeverinë e presidentit Bashar Assad, ndërsa Turqia fraksionet e armatosura të opozitës. Rusia ndërhyri në konflikt në vitin 2015, duke bashkuar përpjekjet me militantët e Hezbollahut të Libanit dhe forcat iraniane dhe duke përdorur fuqinë e saj ajrore për të mbështetur ushtrinë e re të Asadit dhe përfundimisht duke e kthyer situatën në favor të tij.

XS
SM
MD
LG