Lidhje

Rama: Sulmi kibernetik “u zpraps përfundimisht”


Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama njoftoi sot se sulmi kibernetik që goditi para afro dy javësh, sistemet qeveritare të informacionit “është zbrapsur përfundimisht dhe në ndërkohë, shërbimet për publikun të platformës e-Albania janë rikthyer masivisht dhe tani mbeten një numër i vogël prej tyre për t’u rikthyer në mënyrë që të plotësohet i gjithë kuadri i ndërveprimit dhe punës së zakonshme të përditshme të nëpunësve që qëndrojnë pas ekraneve për t’u shërbyer qytetarëve pa radha, pa kosto dhe pa asnjë bakshish”.

Zoti Rama shpjegoi se ekipet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) u ndihmuan në punën e tyre nga ekspertë ndërkombëtarë, ndërsa tha se “sulmi nuk është një sulm i organizuar nga hakera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpeshherë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve shumë më të mëdha dhe shumë më të fuqishme” duke theksuar se “ky është një agresion i organizuar nga një shtet. Nuk kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej dy shteteve fortësisht të dyshuara, shpresoj se do ta bëjmë në vijim, kjo është pjesa më delikate e investigimit”.

Zoti Rama hodhi poshtë si të pavërteta disa njoftime që qarkulluan në mediat vendase se hakerat i kishin kërkuar një shpërblim prej 30 milion eurosh për të rikthyer informacionet e bllokuara.

Po sot, Prokuroria e Tiranës, njoftoi se kishte nisur dhe një hetim për ndërhyrjet dhe sulmin kibernetik të kryer ndaj portalit e-Albania, që sollën mbylljen e përkohshme të shërbimeve online. SIpas njoftimit, është rregjistruar procedimi penal për të paktën katër veprat: “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”; “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”; “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”; dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

XS
SM
MD
LG