Lidhje

SHBA: Kërcënime të mundshme kanë në shenjestër samitin e muxhahedinëve në Shqipëri


Kampi Ashraf 3 në Manzë
Kampi Ashraf 3 në Manzë

Samiti botëror i Iranit të lirë që parashikohet të mbahet në zonën e Manzës në Durrës, në kampin “Ashraf 3”, ku gjendet i strehuar një numër i lartë pjesëtarësh të lëvizjes opozitare iraniane, Mojahedin-e-Khalq (MEK), mund të jetë objekt kërcënimesh. Kjo u bë e ditur nga ambasada amerikane në Tiranë e cila pak para mesnatës, lëshoi një njoftim sigurie në të cilin shkruhet se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm i cili ka në shënjestër takimit botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”, vë në dukje njoftimi përmes së cilit udhëzohen qytetarët amerikanë që ndër të tjera të shmangin këtë ngjarje dhe të monitorojnë mediat lokale.

Sipas njoftimeve të shtypit shqiptar, ditët e fundit Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, ka ushtruar kontrolle në banesat e disa prej ish anëtarë të MEK-ut duke sekuestruar materiale të ndryshme të gjetura në to. Kontrollet mendohet se janë kryer në kuadër të hetimeve ndaj një rrjeti të mundshëm spiunazhi të kamufluar nën aktivitetin e një shoqate që propagandonte se synonte bashkimin e iranianëve dhe shkëmbimin kulturor mes dy vendeve. Deri më tani nuk është njoftuar zyrtarisht ndalimi i asnjë personi.

Dy vjet më parë një iranian me nënshtetësi italiane, Dabiel Kassrae, u dëbua nga Shqipëria drejt Italisë, pas një urdhëri të firmosur nga ministri i Brendshëm i kohës, Sandër Lleshaj, përmes të cilit ai deklarohej “person i padëshiruar”, për një periudhë 15 vjeçare. Kassrae, i cili jetonte në Shqipëri, prej afro katër vitesh, dyshohej të kishte punuar për llogari të rregjimit të Iranit, duke tentuar të rekrutojë anëtarë të lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq , që jetonin në kampin Ashraf.

Në janar të vitit 2020, autoritetet shqiptare urdhëruan dëbimin e dy diplomatëve iranianë, të cilët u shpallën persona të padëshiruar, pasi dyshoheshin se në të vërtetë ishin, njëri anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa tjetri pjesë e njësisë operacionale të shërbimeve sekrete iraniane.

Në tetor të vitit 2019, policia shqiptare bëri të ditur se kishte mundur të identifikonte anëtarët e një celule terroriste iraniane e cila kishte patur si synim kryerjen e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane në Shqipëri. Celula konsiderohej përgjegjëse dhe për tentativën e dështuar të një akti terrorist në mars të vitit 2018.

Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga vendi pasi dyshoheshin të ishin përfshirë “në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend”. Në atë kohë, mnistria e Jashtme shqiptare saktësoi se vendimi ishte marrë në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

Kampi Ashraf në Manzë u vizitua 1 muaj më parë nga ish zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, ndërsa më herët, në muajin maj, edhe nga ish Sekretari amerikan i Shtetit gjatë presidencës Trump, Mike Pompeo.

XS
SM
MD
LG