Lidhje

Meloni: Italia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën nëse e djathta fiton zgjedhjet


Italia do të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë dhe të mbështesë Kievin në luftën kundër Rusisë nëse blloku konservator fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tha kryetarja e partisë kryesore të kësaj aleance Giorgia Meloni.

“Vëllezërit e Italisë” që përfaqëson ekstremin e djathtë, ka qenë një nga partitë e pakta italiane që ka mbështetur vendimin e Kryeministrit Mario Draghi për të dërguar armë në Ukrainë, edhe pse kishte qëndrime të kundërta me qeverinë e tij.

Në ndryshim, dy aleatët kryesorë të zonjës Meloni, Liga dhe Forza Italia, të cilat të dyja ishin në koalicion me zotin Draghi, kanë qenë shumë më të paqartë mbi këtë çështje, duke reflektuar lidhjet e tyre historikisht të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin.

Qeveria italiane u rrëzua këtë javë, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 25 shtator. Sondazhet sugjerojnë se ato do të fitohen nga blloku i djathtë, me “Vëllezërit e Italisë” si forcë dominuese, çka do të thotë se udhëheqësja e kësaj partie Giorgia Meloni mund të jetë kryeministrja e ardhshme e vendit.

"Ne e kemi mbrojtur dhe mbështetur gjithmonë kauzën ukrainase, jo vetëm sepse besojmë në kauzë, por edhe sepse Italia nuk mund të rrezikojë të jetë që të shndërrohet në pikën e dobët të aleancës perëndimore", i tha zonja Meloni televizionit shtetëror RAI të enjten vonë në mbrëmje.

"Perëndimi duhet të dijë se mund të mbështetet tek ne. Unë nuk do të toleroja asnjë paqartësi në këtë pikë", tha ajo.

XS
SM
MD
LG