Mijëra hungarezë morën pjesë në “Marshimin vjetor të Krenarisë” të shtunën në Budapest, duke u zotuar të vazhdojnë luftën e tyre kundër politikave të qeverisë mbi të drejtat e komunitetit LGBTQ-së, të cilat janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian paditi Hungarinë në fillim të këtij muaji për një ligj të miratuar vitin e kaluar që kufizon mësimet për homoseksualitetin dhe çështjet transgjinore në shkolla, masa më e fundit kundër komunitetit LGBTQ miratuar nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban.
Ligji është cilësuar nga administrata e tij si një mënyrë për të mbrojtur fëmijët, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se ai diskriminon anëtarët e komunitetit LGBTQ. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e ka cilësuar ligjin të "turpshëm".
Turmat e njerëzve marshuan në rrugët e Budapestit mes temperaturash që arritën deri në 40 gradë Celsius.
Qeveria e partisë Kristian Demokrate Fidesz, e cila fitoi zgjedhjet në prill, thotë se të drejtat komunitetit LGBTQ dhe çështje të tjera sociale duhet të rregullohen nga vetë vendet e qeveritë e tyre dhe jo Bashkimi Evropian.
Kryeministri Orban, i cili është në pushtet që nga viti 2010, e ka këtë sukses pjesërisht falë mbajtjes së një qëndrimi të ashpër për çështjen e imigracionit dhe mbështetjen e politikave që synojnë të mbrojnë vlerat tradicionale të krishtera nga ai që zoti Orban e quan, liberalizëm perëndimor.
Në një fjalim më herët të shtunën në Rumani, zoti Orban tha se sfidat e mëdha me të cilat po përballej Hungaria janë ndryshimet demografike, migrimi dhe politika gjinore, së bashku me luftën në Ukrainë dhe problemet ekonomike.
Dhjetëra ambasada të huaja në Budapest lëshuan një deklaratë të përbashkët në mbështetje të komunitetit LGBTQ përpara marshimit të ditës së sotme.