Lidhje

Fjalët që ish-Presidenti Trump nuk i tha ndonjëherë


Mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke pritur fjalimin e tij më 6 janar përpara Shtëpisë së Bardhë
Mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke pritur fjalimin e tij më 6 janar përpara Shtëpisë së Bardhë

Dorëshkrimi origjinal i fjalimit të ish-Presidentit Donald Trump ditën pas sulmit ndaj Kapitolit, përmbante deklarata të forta ku udhëzohej Departamenti i Drejtësisë që “të sigurohej se të gjithë shkelësit e ligjit do të hetoheshin me të gjithë forcën e ligjit” si dhe përmbante shprehje si, sulmuesit “nuk më përfaqësojnë mua”. Por, këto fjalë u fshinë me një vizë të trashë të zezë, me sa duket nga vetë ish-Presidenti Trump, u bë e ditur nga hetuesit e komisionit të posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ligjvënësja demokrate Elaine Luria, e cila është anëtare e komisionit hetimor, nxori në Twitter të hënën një video të shkurtër ku përfshiheshin dëshmitë e ndihmësave të Shtëpisë së Bardhë që diskutonin fjalimin e ish-Presidentit Trump më 7 janar, si dhe një foto të manuskriptit, me shënime dhe me pjesë që ishin shënuar për t’u fshirë. Në njërin prej filmimeve, vajza e ish-presidentit, Ivanka Trump, i konfirmoi komisionit se dokumenti “duket si kopje e dorëshkrimit të fjalimit të asaj dite” dhe se shkrimi “duket si shkrimi i dorës i babait tim”.

Kur komisioni e pyeti ndihmësin e Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner, njëkohësisht edhe bashkëshort i Ivanka Trump-it, se përse ish-Presidenti Trump u vuri vizë disa rrjeshtave të caktuara, ai u përgjigj dy herë: “Nuk e di”.

Në videon e publikuar nga komisioni hetimor shfaqet manuskripti i fjalimit të ish-Presidentit Trump më 7 janar
Në videon e publikuar nga komisioni hetimor shfaqet manuskripti i fjalimit të ish-Presidentit Trump më 7 janar

Komisioni e bëri publike këtë video, me minutazh 3:40, si një hap që pason seancën e fundit dëgjimore të verës, në të cilën hetuesit treguan pjesë nga përgatitja e fjalimit të ish-presidentit. Në ato pamje, ish-Presidenti Trump shfaqet i trazuar dhe diskuton fjalët me stafin që është i pranishëm, përfshirë vajzën e tij Ivanka. Në një moment, ai u thotë se “Nuk dua ta them që zgjedhjet kanë përfunduar”, dhe përplas grushtin.

Komisioni po bën publike materialet e reja në kuadrin e nxjerrjes së të dhënave të mëtejshme, pasi tetë seancat dëgjimore gjatë verës paraqitën gjetjet e përftuara nga mbi 1 mijë intervista, gjatë periudhës hetimore njëvjeçare. Anëtarët e komisionit thonë se hetimet vazhdojnë dhe se do të organizojnë dëgjesa të mëtejshme në vjeshtë.

Ata synojnë të përcjellin një mesazh të vazhdueshëm për ish-Presidentin Trump dhe veprimet e tij para, gjatë dhe pas kryengritjes – se ai vazhdimisht gënjeu për manipulime të gjera zgjedhore, duke vepruar madje edhe kundër këshillave të ndihmësve të tij më të afërt, dhe se shkaktoi kështu veprimet e dhunshme të mbështetësve të tij. Dhe se kur pjesëmarrësit në trazira hynë në Kapitol, ai nuk bëri asgjë për t'i ndalur.

Në mesazhin e saj të së hënës, Ligjvënësja Luria tha se: “U deshën më shumë se 24 orë që Presidenti Trump t'i drejtohej përsëri kombit pas videos së tij në Kopshtin e Trëndafilave më 6 janar, në të cilën ai me ngrohtësi u tha ndjekësve të tij të shkonin në shtëpi në paqe. Kishte gjëra të tjera që ai nuk dëshironte t’i thoshte”.

Fjalimi i 7 janarit u pa nga ndihmësit e tij si një përpjekje për të kompensuar mosveprimin e tij një ditë më parë, kur ai priti me orë të tëra për t'u thënë pjesëmarrësve në trazira të largoheshin nga Kapitoli - dhe kur e bëri këtë, në një video të filmuar në Kopshtin e Trëndafilave, ai u tha pjesëmarrësve në trazira se ata ishin "shumë të veçantë". Në videon e publikuar nga Ligjvënësja Luria, ndihmësi i ish-Presidentit Trump, Jared Kushner thotë se ai kishte folur me ndihmësat e tjerë dhe se ata po përpiqeshin t'i përgatisnin fjalimin e presidentit. “Ndjemë se ishte e rëndësishme të bënim thirrje të mëtejshme për ulje të tensioneve”, tha zoti Kushner gjatë dëshmisë në komision.

Gjatë fillimit të sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar
Gjatë fillimit të sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar

Është e paqartë se kush e ka shkruar tekstin origjinal në dokument.

Në rrjeshtin në tekstin fillestar "Jam i indinjuar dhe i revoltuar nga dhuna, paligjshmëria dhe kaosi" i është vënë vizë fjalës "i revoltuar". Po kështu u është vënë vizë edhe rrjeshtave në vazhdim, “Dua të jem shumë i qartë se ju nuk më përfaqësoni mua. Ju nuk përfaqësoni lëvizjen tonë”. Megjithatë, ai la frazën, "Ju nuk përfaqësoni vendin tonë". Rrjeshti "e keni vendin në burg" u zëvendësua me "do ta paguani".

Rrjeshtat e mëposhtëm u fshinë gjithashtu: “Udhëzoj Departamentin e Drejtësisë që të sigurohet që të gjithë shkelësit e ligjit të ndiqen penalisht në masën më të plotë të ligjit. Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë – jo me mëshirë, por me DREJTËSI. Pasojat ligjore duhet të jenë të shpejta dhe të vendosura”.

Gjatë dëshmisë së saj, ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson – e cila u paraqit personalisht në një seancë të papritur muajin e kaluar – tha se përpjekja për ta bërë ish-Presidentin Trump të fliste sërish më 7 janar ishte pjesërisht për shkak të “shqetësimit të madh” brenda Shtëpisë së Bardhë se disa nga zyrtarët e kabinetit të tij mund të përpiqeshin të aktivizonin procesin kushtetues të bazuar tek Amendamenti i 25-të i Kushtetutës amerikane, për ta hequr atë nga detyra.

Videoja e publikuar rishtazi përfshin dëshminë e John McEntee-it, në atë kohë drejtor i zyrës së personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe një nga ndihmësit më të afërt të ish-Presidentit Trump. Zoti McEntee thotë se zoti Kushner i kërkoi atij që ta "nxiste këtë" proces dhe të sigurohej që ish-Presidenti Trump të mbante fjalimin. Zoti McEntee konfirmoi se ish-Presidenti Trump nuk kishte dëshirë ta mbante fjalimin.

Pat Cipollone, këshilltari kryesor ligjor i Shtëpisë së Bardhë, dëshmoi gjithashtu se ai besonte se ish-Presidenti Trump duhet të kishte shpalosur me vendosmëri pasojat për pjesëmarrësit në trazira.

“Për mendimin tim, ai duhej të shprehej shumë qartë” se pjesëmarrësit në trazira “duhet të ndiqen penalisht dhe duhet të arrestohen”.

XS
SM
MD
LG