Lidhje

Shqipëri, zjarret vazhdojnë të djegin sipërfaqe me pyje


Bogë zjarri
Bogë zjarri

Në Shqipëri, mesditën e së martes temperaturat arritën nivelin rekord me 42 gradë në një pjesë të madhe të territorit.

Rritja e temperaturave po shoqërohet edhe me shtimin e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe ato me shkurre. Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri në 13 bashki të vendit: në bashitë Lezhë, Shkodër, Skrapar, Dimal, Malësi e Madhe, Vau-Dejës, Këlcyrë, Vlorë, Finiq, Tiranë, Berat, Durrës, Krujë dhe Belsh.

Vatrat e zjarrit kanë prekur edhe zonat e mbrojtura si ajo e Bogës në Malësi të Madhe, ku prej tre ditësh nuk po arrihet të shuhen vatrat e zjarrit.

Që nga fillimi i sezonit veror turistik në Shqipëri janë shfaqur më shumë se 250 vatra zjarri, të cilat kanë prekur zonat pyjore si dhe ato me shkurre, duke shkaktuar dëme te konsiderueshme për ekonominë e vendit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së sotme, për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 435 efektivë zjarrfikës, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 46 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter.

Helikopteri ka ndërhyrë në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, në fshatin Ndërshen, Bashkia Mirditë dhe në fshatin Halil, Bashkia Krujë. Aktualisht janë aktive 6 vatra zjarri në fshatin Velçan të Beratit, në Orosh të Mirditës, në afërsi të rezervatit Dardhë-Xhyrë në Gramsh, në zonën e mbrojtur të Zgërdheshit në Fushë Krujë dhe në fshatin Leminot të bashkisë Maliq.

Pjesa më e madhe e zjarreve në sipërfaqet pyjore shkaktohen nga temperaturat e larta, por, sipas autoriteteve vendore, një pjesë prej tyre edhe nga pakujdesia e banorëve si dhe zjarrvëniet e qëllimshme. Megjithëse çdo vit raportohet për zjarrvënie të qëllimshme, nuk ka të dhëna për ndalimin, sipas ligjit, të autorëve dhe dënimi e tyre nga gjykatat.

XS
SM
MD
LG