Lidhje

Autoriteti i Dosjeve: Meta lidhje me ish Sigurimin. Ish presidenti e mohon kategorikisht


Ish presidenti Ilir Meta reagon ndaj akuzave për bashkëpunim me ish Sigurimin
Ish presidenti Ilir Meta reagon ndaj akuzave për bashkëpunim me ish Sigurimin

Në Shqipëri, një shkresë që Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i ka dërguar parlamentit, bën të ditur se emri i ish presidentit Ilir Meta figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit. Zoti Meta ka marrë më herët çertifikatën e pastërtisë nga dy Komisionet e mëparshme të ngritura në vitet ’90, por dhe nga vetë Autoriteti i Dosjeve, në prill të vitit 2017.

Autoriteti i Dosjeve: Meta lidhje me ish Sigurimin. Ish presidenti e mohon
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Por sipas një njoftimit të këtij institucioni, anëtarët e tij janë ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e ish presidentit, në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit, gjë që ka sjellë në zbulimin e emrit të zotit Meta në këto dosje.

Mbi rastin nuk jepen detaje të shkallës së implikimit dhe angazhimit të mundshëm të ish kreut të shtetit në strukturat famëkeqe të ish sigurimit. Vetë zoti Meta sot hodhi poshtë në mënyrë kategorike që kjo të ishte e vërtetë.

“Siguroj të gjithë qytetarët që Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi politik, sepse ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërtetat e tij e do vijojë dhe 30-40 vite të tjera”, deklaroi ai duke lënë të kuptohet se ishte në dijeni të rastit. “Ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë ka, çfarë s’ka dhe sa e manipuluar është ajo dosje që thonë ata. Me një email anonim elektronik, dhe jam i sigurt që kur të bëhet publik, do të gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar se qenka një I.M.”.

Ish presidenti akuzoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë Autoritetin e Dosjeve se është përdorur për qëllime politike. “Autoriteti i manipulimit dhe falsifikimit të të vërtetave që përdoret si instrument propagandistik”, u shpreh ai.

Autoriteti i Dosjeve reagoi ndaj akuzave duke deklaruar se “nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore”.

Autoritetit shpjegoi në deklaratën e tij se “të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund t’a ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur” dhe se “autoriteti verifikon me përgjegjësi profesionale çdo pretendim mbi materiale të referuara apo të kërkuara”.

Në shkresën dërguar parlamentit, Autoriteti shpjegon se rasti i fundit i zotit Meta, por dhe të tjera të ngjashme, për figura po ashtu të rëndësishme, e shtynë atë, që për të disatën herë, t’i kërkojë ligjvënësve disa ndryshime ligjore, për të hequr pengesën që kush ka çertifikatë pastërtie nga komisionet e mëparshme, të mund të verifikohet sërish, si dhe përfshirjen e parashikimit ligjor që për të zgjedhurit të bëhet i detyrueshëm verifikimi për lidhjet me ish Sigurimin që në momentin që ata kandidojnë, dhe atyre t’u ndalohet pjesmarrja në garë nëse rezultojnë të kenë bashkëpunuar me strukturat e diktaturës.

Kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla organizoi sot takime me krerët e grupeve parlamentare dhe drejtuesit e Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë ku i njohu me shkresën e Autoritetit të Dosjeve.

“Rasti është tronditës dhe parlamenti duhet të reagojë patjetër. Rasti ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike”, u shpreh zonja Nikolla ndërsa tha se ka shprehur “gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë”, për të realizuar ndryshimet ligjore të propozuara nga Autoriteti. Ndryshime të cilat do të kërkonin një shumicë të cilësuar prej të paktën 84 votash.

Por për zotin Meta, edhe lëvizja e kryetares së parlamentit, është e nxitur nga kryeministri Edi Rama “për nevojat e tij personale për të shmangur vëmendjen nga çështje më urgjente, siç është ajo e inceneratorëve, dhe nga të gjitha aferat e tjera të zeza”.

Zoti Meta, menjëherë sa përfundoi mandatin e tij si president, rimorri drejtimin e Lëvizjes socialiste për Integrim, pasi asaj iu ndryshua më parë emri, në Partia e Lirisë, duke shkrirë dhe strukturat e saj drejtuese.

Në krah të zotit Meta doli sot ish kryeministri Sali Berisha, i rikthyer në drejtimin e Partisë Demokratike. Duke folur për një “akt të turpshëm dhe amoral” edhe ai akuzoi kreun e qeverisë Rama që “urdhëron fallsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish - Presidentin e Republikës Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit”.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i thirrur në takim nga kryetarja e parlamentit Nikolla, shkroi në një postim të gjatë në Facebook se “refuzova të njihesha me detajet e dosjes sekrete të politikanit me inicialet I.M.! Për mua si politikan dhe për PD-në si parti e themeluar mbi parimet e transparencës, standardet dhe jo emrat e përveçëm, janë të rëndësishme për funksionimin normal të demokracisë. I bëra me dije Kryetares së Kuvendit se qëndrimi i PD-së për çështjen e dosjeve ka qenë koherent dhe vijon të mbetet i pandryshuar. Shoqëria dhe shteti shqiptar ka nevojë uluritëse të dekomunistizohet”. Ai shton më tej se “çdo iniciativë për hapjen e dosjeve, lustracionin apo dekomunistizimin, siç ne kemi kërkuar sistematikisht, do të ketë mbështetjen e plotë tonën. Por këto iniciativa duhet të bëhen të plota, të sinqerta dhe ezauruese, dhe jo gjysmake në funksion të lojrave të vogla politike”.

XS
SM
MD
LG