Lidhje

Viktima dhe dëme nga përmbytjet në Kentaki


Ekipet e emergjencave në rrugën shtetërore 15 të Kentakit (28 korrik 2022)

Përmbytjet në Kentakin lindor kanë shkaktuar të paktën tetë vdekje, tha të enjten guvernatori Andy Beshear dhe numri i të vdekurve pritet të shtohet ndërsa niveli i ujit vazhdon të rritet.

Një seri stuhish sollën reshje të mëdha dhe shkaktuan dëme që mund të duhen vite për t'u riparuar, tha zoti Beshear, i cili shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në gjashtë qarqe të enjten në mëngjes.

“Aktualisht po përjetojmë një nga ngjarjet më të këqija, më shkatërruese të përmbytjeve në historinë e Kentakit”, tha zoti Beshear në shpalljen e emergjencës.

"Qindra do të humbasin shtëpitë e tyre", shtoi ai.

Mes të vdekurve ishte një grua 81-vjeçare në kontenë Perry.

“Kjo është një fatkeqësi natyrore e vazhdueshme, me më shumë shira që priten sonte dhe që mund të përkeqësojnë situatën”, tha guvernatori në Twitter.

Përmbytjet lanë 23 mijë familje pa energji elektrike dhe "një numër njerëzish" nuk janë gjetur ende, tha ai.

Bonnie Combs, djathtas, përqafon mbesën e saj 10-vjeçare Adelynn Bowling, ndërsa prona e saj mbulohet nga uji në Jackson, Kentaki (28 korrik 2022)
Bonnie Combs, djathtas, përqafon mbesën e saj 10-vjeçare Adelynn Bowling, ndërsa prona e saj mbulohet nga uji në Jackson, Kentaki (28 korrik 2022)

Në videot e nxjerra nga mediat lokale, rrugët dukeshin si lumenj, me nivelin e ujit që arrinte deri tek gjethet e pemëve, ndërsa tabelat shfaqeshin mbi ujin ngjyrë kafe.

Shteti Kentaki aktivizoi Gardën Kombëtare dhe policinë e shtetit për të përdorur helikopterë dhe varka për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nga përmbytjet, tha Guvernatori Beshear.

Qendrat e evakuimit u hapën në parqet shtetërore dhe objekte të tjera, por zoti Beshear paralajmëroi se disa nga objektet ishin goditur rëndë nga stuhitë dhe mund të mos kenë energji ose disa pajisje.

Uji i pijshëm do të jetë gjithashtu i vështirë për t'u gjetur në disa pjesë të rajonit të përmbytur, dhe uji do të sillet me kamionë, tha ai.

XS
SM
MD
LG