Lidhje

Presidenti Biden del sërish pozitiv për COVID-19 - kthehet në izolim


Presidenti Joe Biden doli pozitiv në testin për COVID-19 përsëri të shtunën, pak më shumë se tre ditë pasi doli nga izolimi për shkak të koronavirusit, tha Shtëpia e Bardhë, në një rast të rrallë "riinfektimi” pas trajtimit me një ilaç antiviral.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Kevin O'Connor tha në një letër se presidenti Biden "nuk ka përjetuar rishfaqje të simptomave dhe vazhdon të ndjehet mjaft mirë". Mjeku O'Connor tha se "nuk ka asnjë arsye për të rifilluar trajtimin në këtë moment".

Presidenti Biden shkroi në rrjetet sociale se doli sërish pozitiv, një gjë që ndodh rrallë.

“Nuk kam simptoma, por do të izolohem për sigurinë e të gjithëve përreth meje”, shkroi ai duke theksuar se është ende në punë.

Në përputhje me udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, presidenti Biden do të jetë në izolim për të paktën pesë ditë. Ai do të izolohet në Shtëpinë e Bardhë derisa të dalë negativ. Agjencia thotë se shumica e rasteve të rishfaqjes së infeksionit mbeten të lehta dhe se sëmurje të rënda gjatë asaj periudhe nuk janë raportuar.

Njoftimi se presidenti doli pozitiv, u bë vetëm dy orë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi një vizitë në Michigan këtë të martë për të nxjerrë në pah miratimin e një projektligji për të nxitur prodhimin vendas të teknologjisë së lartë. Presidenti Biden ishte planifikuar gjithashtu të vizitonte shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware, të dielën në mëngjes, ku zonja e parë Jill Biden ka qëndruar ndërsa presidenti ishte pozitiv. Të dy udhëtimet janë anuluar.

Presidenti Biden, 79 vjeç, u trajtua me ilaçin antiviral Paxlovid, pasi për herë të parë doli pozitiv në 21 korrik. Ai rezultoi negativ për virusin të martën dhe të mërkurën e kaluar. Më pas ai u lirua nga izolimi ndërsa mbante një maskë në mjedise të mbyllura.

XS
SM
MD
LG