Lidhje

Kosovë, 18 të arrestuar për trafikim emigrantësh


Policia e Kosovës tha të dielën se janë arrestuar 18 persona nën dyshimet për trafikim me emigrantë. Në një njoftim të policisë thuhet se emigrantët, kryesisht aziatikë, kanë hyrë në rrugë të paligjshme nga Shqipëria, janë dërguar në pjesën veriore të Kosovës dhe qëllim i mbërritjes ishin shtetet perëndimore.

Hetimet po zhvilloheshin që nga muaji mars i vitit 2022. Më 14 korrik është arrestuar i dyshuari M.A., shtetas sirian, i cili ka qëndruar në Kosovë duke organizuar kontrabandën.

Policia tha se të shtunën ka përmbyllur operacionin policor me emrin e koduar “Shkoza” gjatë të cilit janë arrestuar “gjashtëmbëdhjetë të dyshuar për përfshirje në kontrabandim me emigrantë” si dhe një person që ka provuar “t’i godas me makinë zyrtarët policorë”.

Policia tha se gjatë operacionit ka sekuestruar katër armë zjarri, nëntëdhjetë e pesë copë fishekë, tre autobusë, dy vetura, dy radiolidhje dhe shtatëmbëdhjetë telefona celular.

Autoritetet në Kosovë thonë se viteve të fundit është rritur numri i emigrantëve që po e shfrytëzojnë Kosovën si rrugë kalimtare për në vendet e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG