Lidhje

Kosova dhe Serbia takohen me 18 gusht – Hovenier thotë se masat e reciprocitetit janë të ligjshme


Bashkimi Evropian konfirmoi të enjten se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në Bruksel me 18 gusht në një raund të ri bisedimesh, pas tensioneve të fundit në veriun e Kosovës për shkak të reagimeve serbe ndaj vendimeve të qeverisë së Kosovës, për vendosjen e reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve personale dhe targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të enjten se vendimet e qeverisë së Kosovës janë në linjë me marrëveshjet e Brukselit.

Hovenier: Masat e recipeocitetit, në linjë me marrëveshjet e Brukselit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryetarin e Listës serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë, Goran Rakiç.

I rikujtova atij disa nga qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për disa çështje, ku përfshihen edhe masat e reciprocitetit që qeveria e Kosovës ka dashur t’i vendosë e të cilat në këndvështrimin tonë janë në linjë me marrëveshjet e Brukselit dhe të ligjshme. Gjithashtu folëm për rëndësinë e përfshirjes së brengave të komunitetit serb në Kosovë mbi këtë çështje, që ato të jenë një element që merret parasysh në vazhdimësinë e këtij procesi”, tha ambasadori amerikan.

Takimi pasoi debatet që u nxitën nga tensionet e së dielës në veriun e Kosovës ku grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të kundërshtuar masat e reciprocitetit të qeverisë së Kosovës, e cila vendosi shtyrjen për një muaj të zbatimit të tyre, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ambasadori Hovenier tha se duhet gjetur rrugët për të shmangur tensionet e tilla dhe në këtë kuadër nënvizoi rëndësinë e takimit ndërmjet presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel. Ai ritheksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë rishikimin e masave te qeverisë.

Tensionet e fundit në veri nxitën ndërkaq një debat të rreptë në parlamentin e Kosovës të enjten, përgjatë të cilit partitë opozitare kritikuan qeverinë.

Përderisa nuk ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë, kjo përzgjedhje selektive e masave të reciprocitetit, duke qenë i vetëdijshëm se Serbia dhe politikat e saj ndaj konsolidimit tonë të brendshëm janë shumë destruktive e të cilat masa edhe ashtu po krijojnë probleme të sigurisë dhe rendit sic ishte edhe rasti i fundit, po na japin përshtypjen se para se këto masa të jenë qëllim në vetvete – janë qëllime instrumentale. Nuk besoj se me këto masa kryeministri po dëshiron të zgjidh marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike të Kosovës.

Është fakt që bashkërendim të brendshëm nuk ka pasur, as këshillime të vazhdueshme me opozitën për këto tema, si dhe duket nga informatat që kemi parë se bashkërendim të duhur me partnerët ndërkombëtar nuk ka pasur. Mbështetjen tonë e keni pasur dhe e keni edhe tash, e keni parë edhe qëndrimin e partisë sa i përket kësaj çështjeje”, tha Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sikur të ishte nisur gjithë kohën si ‘good guy’ nuk ka problem, por ky është nisur si i i forti dhe është munduar të ia ndërtojë disa pozicion vendit të vet, politikës së vet, qeverisë së vet, si i forti. Ja ku ka përfunduar ‘good guy’, shko para – kthehu prapa, shko para - kthehu prapa, kur të donë e çfarë t’i thonë. A e dini kush? Lajcaku, sepse Vucici e thërret Lajcakun, e Lajcaku e gjen se kënd ta thërras dhe këtij i thonë ‘step back’. Kjo është Kosova sot ju lutem. A do ta zgjidhim kështu situatën në veri më trego të lutem i dashur ‘good guy’? Ky është qorr sokak ku kemi hyrë”, tha Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha ndërkaq se zbatimi i masave të reciprocitetit do të duhej të niste qysh para 11 vjetësh, duke iu referuar marrëveshjes së Brukselit të vitit 2011 mbi lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që është bërë nga Beogradi mbi qytetarët serbë të Kosovës, ne kemi pranuar te faktorët ndërkombëtar amerikan e evropian, që ta shtyjmë zbatimin për datën 1 shtator. Pra, për shkak të fushatës së tmerrshme të dezinformimit, jo për shkak të mungesës së fushatës sonë, ne nuk besojmë që nuk kemi bërë fushatë të mjaftueshme ose të mirë por ka qenë shumë më e egër fushata e dezinformimit. Është folur për operacionin Stuhia që do të ndodhë të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakosë serbët në Kosovë e të tjera”, tha kryeministri Kurti.

Ai akuzoi strukturat e kontrolluara nga Beogradi për nxitjen e trazirave dhe ngritjen e bllokadave. Lista Serbe tha një ditë më parë se në protesta mori pjesë edhe nënkryetari i saj Milan Radojçiç, ndaj të cilit ka një urdhërarresti.

Ambasadori Hovenier tha se i ka kujtuar kësaj liste se Milan Radojçiç është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

XS
SM
MD
LG