Lidhje

Gjetjet arkeologjike të pasqyruara në pavionin e arkeologjisë në Shkodër


Gjetjet arkeologjike të pasqyruara në pavionin e arkeologjisë në Shkodër
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Gjetjet arkeologjike të pasqyruara në pavionin e arkeologjisë në Shkodër

I ngritur në një nga shtëpitë e vjetra karakteristike të qytetit të Shkodrës, atë të luftëtarit popullor Oso Kuka, Muzeu Historik i Shkodrës po tërheq në këtë sezon veror, vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj.

Përgjegjësja e muzeut, Amina Gjyrezi, thotë se një nga pavionet që tërheq më së shumti vëmendjen e vizitorëve, sidomos atyre të huaj, është pavioni i arkeologjisë, ku janë ekspozuar objekte të shumta që dëshmojnë mbi jetën e zhvilluar në zonën veriore të Shqipërisë, që nga antikiteti e deri në periudhën e mesjetës.

“Është fondi më i pasur, sepse janë objekte të gjetura ndër vite në zonën e veriut, pra jo vetëm në zonën e Shkodrës, por të gjithë Veriut të Shqipërisë, nga neoliti deri në mesjetë. Është shumë e rëndësishme pjesa e numizmatikës, pra të gjitha monedhat, dhe pjesa e fondeve që sjellin françeskanët dhe jezuitët. Siç e dimë, françeskanët dhe jezuitët ishin të parët që hapën rrugën e koleksionizmit në Shkodër”, thotë ajo.

Zonja Gjyrezi thotë se, një pjesë e objekteve të ekspozuara në pavionin e arkeologjisë i përkasin kërkimeve të bëra nga priftërinjtë françeskanë dhe jezuitë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, kryesisht nga at Zef Valentini dhe at Shtjefën Gjeçovi, ky i fundit ishte ndër shqiptarët e parë që nisi hulumtimin arkeologjik të trojeve shqiptare.

Koleksioni i mbledhur prej Shtjefën Gjeçovit, i njohur me emërtimin “Koleksioni i Shtjefën Gjeçovit”, u ekspozua për një kohë në Muzeun Françeskan të Shkodrës, deri në vitin 1948, kur u sekuestrua nga qeveria komuniste.

Një pjesë e këtyre gjetjeve, që i përkasin kulturës së Komanit, tashmë ruhen në pavionin e arkeologjisë në Muzeun Historik të Shkodrës.

“Kultura e Komanit përfaqësohet me shumë objekte, me monedha, me enë të ndryshme dhe me objekte që tregojnë jetën e Komanit, por jo vetëm. Është një zonë shumë e pasur, ku vazhdohet të gërmohet dhe të gjenden objekte që tregojnë, pak a shumë, përfshirjen në një sipërfaqe të madhe të jetës dhe të banorëve në atë zonë”, thotë zonja Gjyrezi.

Kohët e fundit, në Muzeun Historik të Shkodrës u prezantuan maketet e tre siteve të rëndësishme arkeologjike, atij të Komanit, Orikumit dhe Apollonisë, duke i bërë më të prekshme për vizitorët.

Pavioni arkeologjisë vazhdon të pasurohet me gjetjet e reja nga ekspeditat arkeologjike në Veri të Shqipërisë.

Aktualisht, në zonën veriore të Shqipërisë po veprojnë dy ekspedita arkeologjike me arkeologë shqiptarë, francezë dhe zvicerianë, njëra prej tyre në sitin arkeologjik të Komanit dhe tjetra në Bushat, një zonë arkeologjike kjo e zbuluar vitet e fundit.

XS
SM
MD
LG