Lidhje

FBI kontroll në pronën e ish presidentit Donald Trump


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump zbuloi dje se agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve kishin kontrolluar shtëpinë e tij në Mar-A-Lago të Floridas, që ai e cilësoi si “bastisje”. Rrethanat e operacionit janë ende të paqarta dhe FBI-ja nuk ka bërë komente. Megjithatë, sipas burimeve, operacioni duket se është në kuadër të hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm të informacioneve të klasifikuara nga zoti Trump, pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021. Ish-presidenti Trump akuzon demokratët se po shfrytëzojnë FBI-në për ta penguar atë të fitojë një mandat tjetër presidencial më 2024.

FBI kontroll në pronën e ish presidentit Donald Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Byroja Federale e Hetimeve kontrolloi pronën e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në kuadër të një hetimi nëse ai ka marrë dukumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e tij në Florida, thanë të hënën burime të afërta me këtë çështje.

Ishte vetë zoti Trump që e zbuloi veprimin e FBI-së përmes një deklaratë të gjatë, ku pohoi se agjentët kishin hapur edhe kasafortën e tij, në një operacion që ai e cilësoi si dëshmi të “kohëve të errëta” për Shtetet e Bashkuara.

FBI dhe Departamenti i Drejtësisë nuk kanë bërë komente për operacionin e kontrollit, që shënon një përshkallëzim dramatik në hetimet kundër zotit Trump, ndërsa paralelisht po kryhen edhe hetime të tjera rreth përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ish-presidenti Trump dhe aleatët e tij u përpoqën menjëherë ta cilësojnë kontrollin si pjesë të një përpjekjeje të drejtuar nga demokratët për ta penguar atë të fitojë një mandat tjetër më 2024, edhe pse Shtëpia e Bardhë tha se nuk kishte njohuri paraprake për operacionin, ndërsa drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray, është emëruar nga zoti Trump pesë vjet më parë dhe kishte shërbyer më parë si zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë të drejtuar nga republikanët.

“Pas bashkëpunimit me agjencitë përkatëse qeveritare, kjo bastitje e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme”, tha zoti Trump në deklaratën e tij.

“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së. Asgjë e ngjashme nuk i ka ndodhur më parë një presidenti të Shteteve të Bashkuara”, shtoi zoti Trump.

Të paktën një nga mbështetëset e tij jashtë shtëpisë së ish-presidentit në Florida, përsëriti pretendimin e zotit Trump.

“Administrata e Bidenit dhe demokratët po përdorin FBI-në si armë. Kjo duhet të ndalet. FBI-ja nuk duhet të shfrytëzohet kundër një presidenti tjetër. Nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha ajo.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Dena Iverson nuk komentoi rreth kontrollit dhe as nëse Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland e kishte autorizuar atë personalisht.

Departamenti i Drejtësisë po hetonte rreth dokumenteve të klasifikuara që ndodheshin brenda 15 kutive që u morën nga rezidenca Mar-a-Lago dhe u dërguan tek Arkivat Kombëtare në fillim të këtij viti.

“Ka shumë ligje që rregullojnë informacionet e klasifikuara, duke përfshirë një ligj, që e bën keqpërdorimin e tyre një vepër të dënueshme me pesë vite burg. Është krim t’i mbash dokumentet ë një vend të paautorizuar”, thotë gazetarja Michelle Price.

Një ligj tjetër e bën krim keqpërdorimin e të dhënave të klasifikuara me dashje, ose në një mënyrë jashtëzakonisht të pakujdesshme.

“Është e mundur që ish-presidenti të përpiqet të argumentojë se si president, ai ishte autoriteti përfundimtar për deklasifikimin e materialeve”, shton gazetarja Price.

Ky nuk është problemi i vetëm me të cilin po përballet tani ish presidenti.
Departamenti i Drejtësisë është duke hetuar edhe përpjekjet e aleatëve të zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.

Departamenti nuk ka njoftuar nëse do të kërkojë ngritjen e akuzave penale kundër ish presidentit në atë hetim.

Ndërkohë, një prokuror qarku në Fulton të Xhorxhias ka hapur një tjetër rast ndaj ish presidentit, nëse ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë ndërhynë tek zyrtarët zgjedhorë të këtij shteti për të përmbysur rezultatin. Zgjedhjet në Xhorxhia u fituan nga demokrati Joe Biden.

XS
SM
MD
LG