Lidhje

SHBA akuzon një anëtar të Gardës Revolucionare të Iranit për komplot për të vrarë John Boltonin


Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj një anëtari të forcave elitë të Gardës Revolucionare të Iranit për një komplot për të vrarë ish- këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton. Zoti Bolton ishte këshilltar i ish-presidentit Donald Trump.

Shtetasi iranian Shahram Poursafi, i njohur gjithashtu si Mehdi Rezayi, "u përpoq t’u paguante disa individëve në Shtetet e Bashkuara 300,000 dollarë për të kryer vrasjen në Uashington ose në Maryland", tha Departamenti i Drejtësisë.

Shtetasi iranian Shahram Poursafi, që SHBA e akuzon për një komplot për të vrarë ish- këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton.
Shtetasi iranian Shahram Poursafi, që SHBA e akuzon për një komplot për të vrarë ish- këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton.

Departamenti i Drejtësisë tha se ka të ngjarë që Poursafi të ishte motivuar për të vrarë zotin Bolton si hakmarrje për vdekjen e Qassem Soleimanit, një komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit të vrarë në një sulm me dron të SHBA-së në janar 2020.

Sipas kallëzimit penal, Poursafi i kërkoi një banori amerikan të identifikuar vetëm si "Individi A" të bënte fotografi të zotit Bolton, me pretendimin se fotot i duheshin për një libër.

Banori i Shteteve të Bashkuara më pas e prezantoi Poursafin me një informator të fshehtë të qeverisë, i cili mund t'i bënte fotografitë për një çmim të caktuar.

Hetuesit thanë se një muaj më pas, Poursafi e kontaktoi informatorin në një aplikacion ku dërgohen mesazhe të koduara dhe i ofroi personit 250,000 dollarë për të angazhuar dikë për të "eliminuar" zotin Bolton. Kjo shumë më pas u rrit deri në 300,000 dollarë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social, Twitter të mërkurën, zoti Bolton e falënderoi Departamentin e Drejtësisë për masat e ndërmarra.

“Nuk mund të thuhet shumë publikisht tani, por një gjë është e padiskutueshme: Sundimtarët e Iranit janë gënjeshtarë, terroristë dhe armiq të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

XS
SM
MD
LG