Lidhje

Anëtarët e Kongresit reagojnë ndaj kontrollit në rezidencën e ish-Presidentit Trump


Ligjvënësit në Uashington po vazhdojnë të reagojnë ndaj kontrollit që ushtroi FBI-ja në rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Urdhri i kontrollit tregon, ndër të tjera, se bëhet fjalë për një hetim për shkelje të mundshme të ligjit të spiunazhit. Ish-presidenti dhe mbështetësit e tij thonë se kontrolli është i motivuar politikisht.

Anëtarët e Kongresit reagojnë ndaj kontrollit në rezidencën e ish-Presidentit Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00


Të hënën e kaluar në Palm Beach të Floridës, FBI-ja kontrolloi Mar-A-Lagon, rezidencën private dhe klubin e golfit të ish-presidentit Donald Trump. Në prani të avokates së zotit Trump, agjentët federalë hapën një kasafortë si pjesë e një hetimi për të përcaktuar nëse ai kishte marrë dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë.

"Disa nga dokumentat ishin etiketuar "tepër sekret" (dhe) "informacion i ndjeshëm". Është ndër përcaktimet më të larta për sa i përket dëmit jashtëzakonisht të rëndë që mund t'i bëhet sigurisë kombëtare nëse ato bien në duart të gabuara, pra fakti që ishin në një vend të pasigurt - të ruajtur thjesht me një çelës, apo çfarëdo mase sigurie mund të kesh në një hotel, - është thellësisht alarmues", tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff në një intervistë për televizionin CBS.

Zoti Trump dhe mbështetësit e tij menjëherë e quajtën kontrollin një abuzim me pushtetin të motivuar politikisht, një pretendim që Shtëpia e Bardhë e zotit Biden e hedh poshtë.

"Do t'u kujtoja republikanëve se drejtori i FBI-së u emërua nga paraardhësi i presidentit Biden, presidenti Trump. Do t'i kujtoja palës tjetër se Merrick Garland u konfirmua në senat, me votat e dy partive", tha Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre duke folur të dielën në emisionin "This Week" të televizionit ABC.

Ajo shtoi se administrata e zotit Biden ndjek politikën e mos ndërhyrjes tek Departamenti i Drejtësisë.

Pavarësisht se ekipi ligjor i ish-presidentit kishte marrë kopje të urdhrit të kontrollit, ata i kërkuan Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland që ta bënte atë publike.

Zoti Garland tha se ai personalisht autorizoi urdhrin dhe në përputhje me ligjin dhe pas kërkesës publike të zotit Trump, i kërkoi një gjyqtari ta bënte atë publike.

Ndërkohë, zoti Trump, i kthyer në Nju Jork këtë javë si pjesë e një hetimi tjetër rreth bizneseve të tij, po përkrahet me forcë nga republikanët e Kongresit.

"Nuk kemi pse të spekulojmë. Kongresi ka të gjitha kompetencat e mbikqyrjes. Prokurori i Përgjithshëm Garland thjesht duhet të veprojë në përputhje me ligjet. Të na japë këtë informacion që ta shohim. Persona nga të dyja palët po bëjnë thirrje që Prokurori i Përgjithshëm Garland të na tregojë informacionin që ka. Ne duhet të përcaktojmë nëse përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, dhe rrjedhimisht nëse Prokurori i Përgjithshëm Garland ka abuzuar me kompetencat e tij”, tha anëtari republikan i Kongresit, Mike Turner në një intervistë për CNN-in.

Republikanët kanë bërë thirrje për informacion më të detajuar mbi faktorët që e bindën një gjykatës federal të lëshonte një urdhër kontrolli për shtëpinë e zotit Trump në Florida.

XS
SM
MD
LG