Lidhje

Ndër materialet e marra nga Mar-a-Lago ka dokumenta që mbrohen nga marrëdhënia avokat-klient


Selia e Departamentit të Drejtësisë në Uashington D.C.

Ndër dokumentat e marra gjatë kontrollit të Departamentit të Drejtësisë në rezidencën e ish-Presidentit Donald Trump rezulton edhe një numër “i kufizuar” dokumentash që mbrohen nga imuniteti i marrëdhënies avokat-klient, thuhet në një deklaratë që prokurorët federalë paraqitën të hënën në gjykatë.

Kjo deklaratë e Departamentit të Drejtësisë mund të mbështesë kërkesën e ekipit ligjor të ish-Presidentit Trump për të caktuar një ekspert të posaçëm që do të shqyrtonte nëse materialet e marra nga FBI-ja në rezidencën e ish-presidentit në Florida gjatë kontrollit të paprecedentë të 8 gushtit, mund të mbrohen nga imuniteti i ekzekutivit.

Eksperti i posaçëm është një palë e tretë që gjykata mund ta caktojë në raste delikate për të shqyrtuar materiale që mund të mbrohen nga imuniteti i marrëdhënies avokat-klient, për t’u siguruar që këto dokumenta të mos shikohen nga hetuesit.

Gjykatësja Aileen Cannon, në rajonin jugor të Floridas, lëshoi një urdhër gjatë fundjavës ku shprehet paraprakisht se do të ishte në favor të caktimit të një eksperti të tillë.

Ajo urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që t’i përgjigjet kërkesës së ish-Presidentit Trump, si dhe që të paraqesë në mënyrë konfidenciale një listë më të detajuar të materialeve të marra nga shtëpia e tij.

Të hënën, Departamenti i Drejtësisë tha se do ta përmbushë kërkesën dhe do të paraqesë informacionin konfidencial brenda ditës së martë.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet gjithashtu se në bashkëpunim me Zyrën e Drejtores së Zbulimit Kombëtar (ODNI) po bëhet një shqyrtim i klasifikuar i materialeve të marra, dhe se ODNI po drejton veçmas një “vlerësim të komunitetit të zbulimit për rrezikun e mundshëm ndaj sigurisë kombëtare” që mund të krijohej nga ekspozimi i këtyre dokumentave.

XS
SM
MD
LG