Organizatat amerikane të mediave i kërkuan të mërkurën një gjykatësi të bëjë publike më shumë detaje rreth të dhënave që u sekuestruan gjatë kontrollit të paprecedentë të FBI-së në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida.
Kërkesa u bë vetëm disa orë pasi Departamenti i Drejtësisë dorëzoi të martën në mbrëmje një dokument 54 faqesh që paraqet kronologjinë më të detajuar deri tani të shkëmbimeve të tensionuara mes zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë dhe përfaqësuesve të ish-presidentit Trump, lidhur me zbulimin e sekreteve qeveritare.
Prokurorët thanë se agjentët gjetën disa dokumente të klasifikuara në sirtarët e tavolinës në zyrën e zotit Trump në Mar-a-Lago. Ata thanë gjithashtu se FBI-ja gjeti pasaportat e ish-presidentit në një nga sirtarët së bashku me dokumente të klasifikuara dhe thanë se ata e konsideronin vendndodhjen e pasaportave si "provë të rëndësishme".
Në një përgjigje ndaj dosjes së departamentit, zëdhënësi i zotit Trump, Taylor Budowich u shpreh në Twitter: "Mjaftuan më pak se dy faqe nga një përgjigje prej 40 faqesh që administrate Biden të pranonte se kjo bastisje e paprecedentë dhe e panevojshme nuk kishte të bënte me ndonjë krim, por më tepër një mosmarrëveshje mbi të dhënat presidenciale."
Megjithatë, urdhri i kontrollit i Departamentit të Drejtësisë u miratua bazuar në shqetësimet se kishte shkelje të tre ligjeve të tjera, mes së cilave një dispozitë e ligjit për spiunazhin dhe pengimit të drejtësisë. Akti i të dhënave presidenciale nuk përmendej në urdhër.
Organizatat e medias i kërkuan gjykatëses Aileen Cannon të bënte publike dy dokumente të tjera që Departamenti i Drejtësisë i depozitoi si konfidenciale më herët të martën.
Njëra është një listë më e detajuar e objekteve që FBI ka konfiskuar nga Mar-a-Lago, ku përfshiheshin 33 artikuj dhe kuti që përmbanin më shumë se 100 të dhëna të klasifikuara.
Procesverbali tjetër që kërkohet është një dokument që do të ketë më shumë detaje rreth një procesi të departamentit, sipas të cilit agjentët që nuk janë të përfshirë në hetim shqyrtojnë dokumentat, për të ndarë veç çdo gjë që mund të mbulohet nga privilegji avokat-klient.
"Të dhënat gjyqësore të identifikuara këtu janë thelbësore që publiku të kuptojë më mirë atë që ndodhi në Mar-a-Lago më 8 gusht 2022, dhe këtë proces të pazakontë civil, dhe gjithashtu do të ndriçojnë më tej veprimet e qeverisë në ekzekutimin e kontrollit", argumentojnë organizatat e medias ABC, Associated Press, Bloomberg, CNN, CBS, botuesin e Wall Street Journal, Dow Jones & Co, NBC, New York Times dhe Washington Post.
Departamenti i Drejtësisë thotë se ka gjasa që dokumenta të klasifikuara "të jenë fshehur dhe zhvendosur" brenda shtëpisë së ish-presidentit Donald Trump në Florida, si pjesë e një përpjekjeje për të penguar hetimin federal për gjetjen e dokumentave zyrtare.
Dokumenti nxjerr në pah se hetimi penal është përqendruar jo vetëm tek arsyeja se pse të dhënat janë ruajtur në mënyrë të parregullt, por edhe tek çështja nëse ekipi i ish-presidentit Trump ka gënjyer qëllimisht në lidhje me praninë e vazhdueshme dhe të paligjshme të dokumenteve tepër sekrete në Mar-a-Lago.
Kronologjia e ngjarjeve e detajuar nga Departamenti i Drejtësisë bën të qartë se kontrolli i jashtëzakonshëm në rezidencën e ish-presidentit Trump erdhi vetëm pasi përpjekjet e tjera për të marrë dokumentet kishin dështuar. Po ashtu kishte dyshime se në Mar-a-Lago kishin mbetur ende dokumente të klasifikuara, megjithë garancitë e përfaqësuesve të ish presidentit, se ato ishin dorëzuar të gjitha.
Megjithëse përmban detaje të reja të rëndësishme mbi hetimin, dokumenti i Departamentit të Drejtësisë nuk i jep përgjigje një pyetjeje thelbësore: pse ish-presideti Trump i mbajti dokumentet pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe pse ai dhe ekipi i tij u rezistoi përpjekjeve të përsëritura për t'i kthyer ato.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, gjatë një vizite të 3 qershorit në Mar-a-Lago nga zyrtarët e FBI-së "avokati i ish-Presidentit nuk dha asnjë shpjegim se pse kutitë me të dhëna zyrtare, përfshirë 38 dokumente të klasifikuara, mbetën në rezidencë gati pesë muaj pas dorëzimit të 15 kutive të para dhe gati një vit e gjysmë pas përfundimit të mandatit."
Synimi i dokumentit të djeshëm që Departamenti i Drejtësisë dorëzoi në gjykatë, ishte për të kundërshtuar një kërkesë të ekipit ligjor të zotit Trump për caktimin e një eksperti të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara dhe për t'i kthyer atij disa prej tyre. Gjyqtarja Aileen Cannon do të dëgjojë argumentet mbi këtë çështje të enjten.
Ajo tha të shtunën se "mendimi i saj paraprak" ishte që të emëronte një person të tillë, por shtoi se i dha Departamentit të Drejtësisë një mundësi për t'u përgjigjur.
Të hënën, departamenti tha se kishte përfunduar shqyrtimin e dokumenteve, disa prej të cilave mund të ishin të mbrojtura nga privilegji avokat-klient. Departamenti tha se një ekspert i posaçëm ishte "i panevojshëm" dhe se të dhënat presidenciale që u morën nga shtëpia nuk i përkasin zotit Trump.