Lidhje

Bie nga dritarja biznesmeni rus i gazit, paqartësi mbi rrethanat e vdekjes së tij


Në foto, biznesmeni Ravil Maganov në krah të presidentit Putin
Në foto, biznesmeni Ravil Maganov në krah të presidentit Putin

Ravil Maganov, shef i kompanisë së dytë më të madhe ruse të gazit ‘Lukoil’, vdiq të enjten pasi u hodh nga dritarja e një spitali në Moskë, thanë dy burime në dijeni të ngjarjes. Ky është zhvillimi më i fundit në një seri incidentesh që kanë përfshirë biznesmenë që gjetur vdekjen papritur, e në rrethana të pashpjegueshme.

Burimet konfirmuan njoftimet e disa mediave ruse se 67-vjeçari kishte vdekur, por rrethanat e rëzimit së tij nga dritarja ishin të paqarta.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘TASS’ e njoftoi ngjarjen si një vetëvrasje, duke cituar një burim të zbatimit të ligjit. Duke iu referuar të njëjtin burim ‘TASS’ tha se zoti Maganov ishte shtruar në spital pasi kishte pësuar një godtje në zemër dhe se po merrte gjithashtu dhe ilaçe kundër depresionit.

Agjencia ‘Reuters’ nuk arriti t’i konfirmojë këto informacione. Tre burime i thanë ‘Reuters-it’ se bazuar në marrëdhëniet që ata kishin me zotin Maganov, nuk besonin se ai kishte vrarë veten.

Një tjetër burim i afërt me kompaninë tha se ekzistonte një besim brenda personelit drejtues të kompanisë ‘Lukoil’ se ai kishte kryer vetëvrasje, por burimi nuk kishte parë prova apo dokumente që e mbështesnin një gjë të tillë. Policia e Moskës nuk iu përgjigj një kërkesë për koment nga ana e ‘Reuters’ në lidhje me vdekjen por e referoi çështjen tek Komiteti Shtetëror Hetimor, i cili gjithashtu nuk dha përgjigje.

‘Lukoil’ është një kompani private që konkurron me gjigantin shtetëror rus të energjisë ‘Rosneft’. Në një deklaratë të ‘Lukoil’ thuhej se zoti Maganov "kishte ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë".

"Mijëra punonjës të Lukoilit janë prekur thellë nga kjo humbje e rëndë dhe shprehin ngushëllimet e tyre të sinqerta për familjen e Ravil Maganov-it", thuhej në deklaratë.

Të paktën gjashtë biznesmenë të tjerë rusë, shumica me lidhje me industrinë e energjisë, kanë vdekur papritur dhe në rrethana të paqarta në muajt e fundit.

Vdekjet kanë ndodhur të gjitha në Rusi, përveç asaj të Sergei Protosenya-s, një prej menaxherëve kryesor të prodhuesit më të madh rus të gazit natyror të lëngshëm ‘Novatek’, trupi i të cili u gjet i pajetë në një vilë në Spanjë, së bashku me trupat e bashkëshortes dhe vajzës së tij. Policia rajonale katalanase bëri të ditur se besonte se biznesmeni i kishte vrarë dy familjarët e tij e më pas veten.

Zoti Maganov punonte për ‘Lukoil’ që nga viti 1993, menjëherë pas krijimit të kompanisë, duke u bërë drejtor i saj në vitin 2020. Vëllai i tij Nail Maganov është kreu i prodhuesit rus të gazit ‘Tatneft’. Në një zhvillim të pazakontë për kompanitë ruse, ‘Lukoil’ mbajti një qëndrim publik mbi ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë. Në një deklaratë më 3 mars, bordi i drejtorëve të kompanisë shprehte shqetësimin e tij për atë që e quante "ngjarje tragjike" në Ukrainë dhe bënte thirrje për "fundin sa më të shpejtë të konfliktit të armatosur", përmes negociatave.

Që nga viti 2014, ‘Lukoil’ është subjekt i sanksioneve të vendosura nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentit amerikan të Thesarit, një zhvillim që pasoi aneksimin e Krimesë nga Moska.

‘Lukoil’ po përpiqet të zgjerojë biznesin e tij në Afrikë dhe ka rafineri në Evropë, përfshirë dhe në Itali. Për vite me radhë kompania është përballur me spekulime se do të blihej nga Rosneft, i cili kishte blerë kompani të shumta të prodhimit të naftës në të gjithë Rusinë. Po si ‘Lukoil’ ashtu edhe ‘Rosneft’ i kanë mohuar posjtë këtë zëra.

XS
SM
MD
LG