Lidhje

Shkencëtarët, nuk ka një ngadalësim të mjaftueshëm të Covid-19


FILE - This August 2022 photo provided by Pfizer shows vials of the company's updated COVID-19 vaccine during production in Kalamazoo, Mich.

A PO ELIMINOHET KORONAVIRUSI?

Ju mund të mendoni se kjo po ndodh. Vaksinat e reja përforcuese po shpërndahen për të ofruar mbrojtje më të mirë kundër varianteve që qarkullojnë tani. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë hequr vetëizolimin dhe rekomandimet për distancim fizik për personat e infektuar me COVID-19. Më shumë njerëz kanë hequr dorë nga maskat dhe kanë rifilluar aktivitetet si në periudhën para pandemisë. Por, Covid-19 vazhdon të shkaktoj vdekjen e mbi 400 amerikanëve në ditë dhe mund të ndryshojë duke u bërë më i shkathët në përpjekjet për të shmangur imunitetin e krijuar nga vaksinat ose infeksionet e mëparshme.

Shkencëtarët thonë se koronavirusi nuk po eliminohet. Ata parashikojnë se Covid-19, që tashmë ka zgjatur më shumë se pandemia e gripit e vitit 1918, do të vazhdojë të jetë i pranishëm.

Një arsye që Covid-19 ka zgjatur kaq shumë është aftësia e tij për të shmangur imunitetin e fituar nga vaksinimi dhe infeksionet e mëparshme. Sipas shkencëtarëve, studimet e reja sugjerojnë se varianti më i fundit, Omicron, po fiton terren në Shtetet e Bashkuara. Rreth 8% e infeksioneve të reja në Shtetet e Bashkuara ishin me variantin BA.4.6 javën e kaluar. Ky variant është më i shkathët në shmangien e sistemit imunitar sesa varianti dominues BA.5.

Shkencëtarët shqetësohen se virusi mund të vazhdojë të evoluojë në mënyra shqetësuese.

SA DO TË ZGJASË PRANIA E TIJ?

Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë e koronavirusit, Dr. Ashish Jha thotë se COVID-19 ka të ngjarë të jetë i pranishëm për gjithë jetën tonë.

Ekspertët presin që COVID-19 një ditë të bëhet endemik, pra të shfaqet rregullisht në zona të caktuara sipas modeleve të përcaktuara. Por ata nuk mendojnë se kjo do të ndodh shumë shpejt.

Megjithatë, jeta me COVID-19 "nuk duhet të jetë domosdoshmërisht një koncept i frikshëm ose i keq", pasi njerëzit po përmirësohen në luftimin e tij, tha Dr. Jha gjatë një seance të fundit pyetje-përgjigjesh me senatorin amerikan Bernie Sanders. "Natyrisht nëse nuk tregohemi të kujdesshëm, nëse nuk vazhdojmë të pëmirësojmë vaksinat dhe trajtimet, atëherë mund të bëjmë hapa mbrapa”, tha ai.

Ekspertët thonë se COVID-19 do të vazhdojë të shkaktojë sëmundje serioze tek disa njerëz. Qendra e Modelimit të Skenareve të COVID-19 bëri disa parashikime për periudhën gusht 2022-maj 2023, duke marrë parasysh vaksinat e reja përforcuese që do të shtonin mbrojtjen për nënvarientet e variantit Omicron në vjeshtë dhe dimër. Sipas skenarit më pesimist, me një variant të ri dhe doza përforcuese të vaksinave, ata parashikuan 1.3 milionë shtrime në spital dhe 181,000 vdekje mes gushtit të vitit 2022 dhe majit të vitit 2023. Në skenarin më optimist, me asnjë variant të ri dhe doza përforcuese të disponueshme në një periudhë më të hershme, ata parashikuan rreth 700 mijë raste të shtrimeve në spital dhe 111,000 vdekje në të njejtën periudhë.

Eric Topol, kreu i organizatës “Scripps Research Translation Institute”, tha se bota ka të ngjarë të vazhdojë të shohë vale të përsëritura rritjesh të rasteve me Covid-19 derisa "të bëjmë gjërat që duhet të bëjmë", si zhvillimi i vaksinave të gjeneratave të reja dhe shpërndarja e tyre në mënyrë të barabartë.

Zoti Topol thotë se virusi "thjesht ka shumë mënyra për të shmangur strategjitë tona aktuale të krijimit të imunitetit, dhe ai thjesht do të vazhdojë të infektojë njerëzit, dhe të shumëzohet".

ÇFARË NDRYSHIME GJENETIKE MUND TË PËSOJË VIRUSI?

Shkencëtarët presin më shumë ndryshime gjenetike që prekin pjesën e proteinës që mbulon sipërfaqen e virusit, duke e lejuar atë të ngjitet mbi qelizat njerëzore.

"Sa herë që mendojmë se kemi parë kulmin e transmetimit, kulmin e veçorive të shmangies së sistemit imunitar, virusi e tejkalon atë me një nivel tjetër të madh", thotë zoti Topol.

Por virusi ndoshta nuk do të vazhdojë të bëhet më i transmetueshëm përgjithmonë.

"Unë mendoj se ka një kufi", thotë Matthew Binnicker, drejtor i virologjisë klinike në Klinikën Mayo në Roçester të Minesotës. "Megjithatë, ende po përballemi me shumë njerëz në mbarë botën që nuk kanë imunitet. Ata nuk janë infektuar me Covid-19 ose nuk kanë qasje tek vaksinat."

Ndonëse shkencëtarët shpresojnë që numri i rasteve do të vazhdojë të bie, ata gjithashtu theksojnë se imuniteti gradualisht zbehet.

A DO TË KETË NJË VARIANT TJETËR TË NGJASHËM ME ATË TË OMICRONIT?

Omicroni ka qenë i pranishëm që nga fundi i vitit të kaluar, me një seri nënvariantesh me nivel të lartë transmetimi dhe zoti Binnicker beson se "kjo do të vazhdojë të paktën edhe për disa muaj të tjerë".

Por, më vonë ka të ngjarë të shfaqet një variant i ri i ndryshëm nga omicroni.

Vala e fundit e infeksioneve dhe ri-infeksioneve, tha ai, "i jep virusit më shumë shanse për t'u përhapur dhe ndryshuar, dhe për të shfaqur variante të reja".

XS
SM
MD
LG