Lidhje

Kryeministrja e re britanike Liz Truss dhe politika e jashtme


Liz Truss arrives in Downing Street
Liz Truss arrives in Downing Street

Liz Truss mori zyrtarisht postin e kryeministres të martën, duke zëvendësuar zotin Boris Johnson, i cili njoftoi dorëheqjen në muajin korrik. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, udhëheqësja e re britanike njihet për qëndrimet e saj të forta në politikën e jashtme, duke premtuar një qëndrim të ashpër kundër Rusisë dhe Kinës. Por fillimisht, ajo përballet me sfida të vështira në Britaninë e Madhe.


Ndryshimi i qeverisë në Britani - një vendi që rrallëherë i mungojnë ceremonitë. Kryeministri në largim, Boris Johnson, u takua me Mbretëreshën Elizabeth të martën në rezidencën e saj në Skoci për të ofruar dorëheqjen. Mbretëresha 96-vjeçare nuk është në gjendje të udhëtojë për shkak të problemeve shëndetësore.


Pak orë më vonë, Liz Truss bëri të njëjtin udhëtim, ndërsa mbretëresha i kërkoi asaj të formojë qeverinë e re. Ajo është kryeministrja e pesëmbëdhjetë që emërohet nga Mbretëresha Elizabeth. Pas kthimit në Londër, Kryeministrja Truss iu drejtua vendit.


“Përballemi me sfda të ashpra globale të shkaktuara nga lufta e tmerrshme e Rusisë në Ukrainë dhe pasojat e COVID-it. Së bashku me aleatët tanë, ne do të mbështesim lirinë dhe demokracinë në mbarë botën.”


Por “muaji i mjaltit politik” ka të ngjarë të jetë i shkurtër, thotë për Zërin e Amerikës analisti i njohur John Kmpfner me Institutin Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare që njihet si “Chatham House”.


“Nëntëdhjetë për qind e kohës së saj do të lidhet me problemet e brendshme, me krizën në ekonomi dhe shëndetësi, me grevat dhe çmimet e larta të energjisë si dhe trazira të mundshme sociale”.


Pavarësisht premtimit për të ulur taksat, raportohet se zonja Truss do të shpenzojë deri në 150 miliardë dollarë për ngrirjen e faturave të energjisë.


Ajo ka premtuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 3% të prodhimit të brendshëm bruto, që vlerësohet rreth 180 miliardë dollarë. Ndërkohë, zonja Truss është zotuar se do të vazhdojë të japë ndihma ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

“Ukraina e njeh mirë atë, duke qënë gjithmonë në anën e duhur të politikës evropiane. Besoj se së bashku do të jemi në gjendje të bëjmë shumë më tepër për mbrojtjen e vendeve tona dhe për të siguruar dështimin e përpjekjeve shkatërruese të Rusisë”, tha Volodymyr Zelenskyy, president i Ukrainës.


Ndërsa drejtonte politikën e jashtme të vendit, zonja Truss mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Kinës, thotë Neil Melvin me “Royal United Services Institute”.

“Nën udhëheqjen e saj, Kina do të shihet si një kërcënim për Mbretërinë e Bashkuar”.


Zonja Truss është zotuar të anulojë një marrëveshje kyçe të Brexit që zoti Johnson nënshkroi me Bashkimin Evropian lidhur me Irlandën e Veriut.


“Skenari më i keq është një luftë tregtare mes 27 vendeve të BE-së dhe Britanisë, çka do të ishte fatkeqësi. Do të dëmtonte edhe më tej ekonominë e rënduar të Mbretërisë së Bashkuar”, thotë analisti John Kampfner.


Presidenti Joe Biden e uroi zonjën Truss në Twitter, duke thënë se uron thellimin e "marrëdhënieve speciale" me Britaninë.


“Amerikanët, dhe veçanërisht administrata e zotit Biden, janë tepër të kujdesshëm që të mos bëjnë zgjedhje mes britanikëve dhe Bashkimit Evropian. Ata e konsiderojnë këtë si një premisë të rreme”, thotë John Kmpfner me Institutin Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare që njihet edhe si Chatham House.


Analistët thonë se rrallë herë një kryeministër i ri është përballur me kaq shumë sfida pas marrjes së postit.

XS
SM
MD
LG