Lidhje

Ekspertët: Shqipëria duhet të shtojë mbrojtjen kibernetike dhe anti-terroriste


Ekspertë të çështjeve të sigurisë në Tiranë pohuan se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin do të shtojë sfidat e vetë-mbrojtjes së Shqipërisë si në fushën kibernetike ashtu edhe në atë të anti-terrorit.

Ata vlerësojnë se kjo masë drastike e sotme dhe prania e pjesëtarëve të MEK-ut në Shqipëri është një nxitje e madhe për Iranin, për të zgjeruar sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë si dhe veprimtarinë kriminale në terren.

Vendimi i Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin nuk është një zhvillim i papritur, vlerësojnë ekspertët e sigurisë në Tiranë.

Marrëdhëniet midis tyre janë të zhbalancuara prej vitesh, thotë për Zërin e Amerikës eksperti Arjan Dyrmishi, por ato u acarruan së tepërmi pas vendosjes së veprimtarëve të MEK-ut në Shqipëri.

Ekspertët: Shqipëria duhet të shtojë mbrojtjen kibernetike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Mbas ndërhyrjes në sistemin informatik shqiptar, që u verifikua se është me burim nga Irani, theksoi zoti Dyrmishi, atëherë vlerësohet si proporcional vendimi i sotëm për ndërprerjen e marrëdhënieve dhe për të hequr edhe fizikisht praninë zyrtare iraniane në Shqipëri.

“Me praninë e veprimtarëve të MEK-ut këtu mendoj që ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin nuk do ta largojë vëmendjen e Iranit nga Shqipëria. Ata do të vazhdojnë të kenë interes. MEK-u është një organizatë e shprehur qartë politikisht për ndryshimin e regjimit në Iran dhe për këtë do të vazhdojë të ngelet objet dhe target i politikës dhe i strukturave të sigurisë së Iranit” , thotë zoti Dyrmishi.

Ekspertët renditin një seri zhvillimesh si shpallja shpallur non grata e ambasadorit iranian në Shqipëri dy vjet më parë, dhe përzënia e zyrtarëve të ambasadës iraniane për arsye të përfshirjes së tyre në veprimtari spiunazhi, derisa erdhi së fundi sulmi kibernetik.

Studiuesi Fabian Zhilla thotë për Zërin Amerikës se një masë e tillë drastike dhe e shpejtë merret pas një analize të thellë mbi rreziqet dhe masat konkrete për të mbrojtur vendin, ndërkohë që Irani ka investuar prej kohësh në Shqipëri.

Ai thotë se vendimi i fundit e vendos Shqipërinë në një pozitë delikate për sa i takon sigurisë kombëtare, për më tepër që është edhe strehuese e opozitës iraniane në qendër të vendit.

“Tashmë Shqipëria ka ndërmarrë një hap serioz dhe shumë të rëndësishëm në fushën diplomatike, i cili duhet shpqëruar me masa në fushën e sigurisë kombëtare. Këtu kam parasysh ndërhyrjet dhe përpjekjet e vazhdueshme të agjencive inteligjente të Iranit, ndaj duhen marrë masa patjetër ndaj sulmeve kibernetike si dhe ndaj akteve të mundshme terroriste” , thotë zoti Zhilla.

Ekspertët vlerësojnë se midis dy vendeve nuk ka ndonjë marrëdhënie të zgjeruar as ekonomike apo në fusha të tjera.

Shqipëria e ka tërhequr me kohë praninë diplomatike nga Irani, por ekziston vetëm një sfond kulturor, që lidhet me traditat e bektashizmit dhe fesë shiite.

Zoti Dyrmishi thotë se Irani pas këtij vendimi ndoshta mund të përshkallëzojë sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, e cila ndërkohë ka marrë masa për të përforcuar sigurinë e rrjeteve

“Dy mund të jenë fushat: diversifikimi i përpjekjeve për të ndikuar, infiltruar dhe sabotuar veprimtarinë e MEK-ut, dhe së dyti në rrafshin diplomatik, një përshkallëzim në marrëdhëniet me institucionet për të demonstruar një lloj hakmarrje, siç mund ta quajmë” , thotë zoti Dyrmishi.

Nga ana tjetër zoti Zhilla shton se për sa kohë që është gjetur se ka një ndërhyrje në databasat e institucioneve shqiptare me burim nga Irani, pritej një reagim i rëndësishëm strategjik nga Shqipëria, që besoj se është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë.

Por kjo duhet shoqëruar me masa mbrojtëse profilaktike në lidhje me sigurinë kombëtare.

“Në çastin që ne marrim masa të tilla drastike, ne duhet të marrim masa urgjente me hapa, të cilat lidhen me sigurinë. Nëse Irani do të ndërmarrë hapin që të na shpallë një shtet armik, politika e tyre do të na shpallë si shtet armik, atëherë ata do të na sulmojnë, do të marrin veprime të ndryshme. Pra, Shqipëria ekspozohet në një nivel tjetër rreziku, për të cilat ndoshta nuk është përgatitur. Është e lehtë të merren masa kaq drastike, por a jemi bërë gati dhe a janë marrë masat mbrojtëse? Shpresoj që po, por këtu kam shqetësimet e mia, sidomos për sigurinë kibernetike” , thotë zoti Zhilla.

Ekspertët shprehi shqetësim për sigurinë kibernetike të Shqipërisë përballë një lufte të mundshme kibernetike, e cila nuk ëhstë një sfidë e lehtë për një vend me kapacitete të kufizuara. Ata janë të mendimit se ndërhyrjet në rrjetet informatike tani e tutje do të shtohen dhe bashkë me to duhen shtuar me shpejtësi edhe masat mbrojtëse.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve ishin një vazhdimësi në zbehje të vazhdueshme, që pas revolucionit islamik të drejtuar nga Komeini në vitin 1979, ku qeverisë komuniste dhe antiamerikane të diktatorit Hoxha në Shqipëri i erdhi për shtat të kishte marrëdhënie me Iranin.

Pas vitit 1990, raportet me Iranin mbetën tek ndonjë program ndihmash shëndetësore dhe në fushën arsimore gjatë periudhës së parë të tranzicionit, apo tek veprimtaritë e fondacionit Shiiraz, i cili bënte disa këmbime kulturore.

XS
SM
MD
LG