Lidhje

Arrestohet një grua për kërcënime ndaj gjyqtares në çështjen e dokumenteve të ish-presidentit Trump


Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka akuzuar një grua nga Teksasi për kërcënime me telefon kundër gjykatëses federale në Florida, e cila po kryeson emërimin e një eskperti të pavarur për të shqyrtuar dokumentet që FBI-ja sekuestroi nga shtëpia e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Në një kallëzim penal të paraqitur më 6 shtator, një agjent i FBI-së tha se Tiffani Shea Gish, e cila jeton në zonën e Hjustonit, la një sërë mesazhesh kërcënuese me zë për gjyqtaren e qarkut të SHBA, Aileen Cannon, e cila punon në Fort Pierce, Florida.

Gish përballet me dy akuza penale, përpjekja për të ndikuar tek një zyrtar federal përmes kërcënimit dhe komunikimet ndërshtetërore duke kërcënuar për rrëmbim ose lëndim.

Zonja Cannon, e cila u emërua gjykatëse në vitin 2020 nga ish presidenti Donald Trump, vendosi javën e kaluar të pranonte kërkesën e ish-presidentit megjithë kundërshtimet e Departamentit të Drejtësisë për të emëruar një “ekspert të posaçëm” për të shqyrtuar të dhënat e sekuestruara me qëllim që nëse ka, të hiqen dokumentet e privilegjuara.

Ankesa thoshte se më 3 shtator, zonja Cannon mori tre mesazhe kërcënuese me zë nga zonja Gish, e cila në disa prej tyre e quajti veten “Evelyn Salt”, personazh i një filmi i portretizuar nga aktorja Angelina Jolie ku protagonistja ishte agjente ruse e dërguar si fëmijë në SHBA që të infiltrohej në Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës (CIA).

Mesazhet kërcënuese gjykatësja i kishte dorëzuar tek Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së.

“Donald Trump është diskualifikuar shumë kohë më parë, dhe ai është vënë në shënjestër për t’u vrarë. Ju po e ndihmoni atë, zonjë,” thoshte një nga mesazhet me zë, sipas ankesës.

“Ai është vënë në shënjestër për t’u vrarë, ashtu si edhe ju”, thoshte kërcënimi që përmbante edhe fjalor ofendues.

Pasi agjentët e FBI-së identifikuan një numër celulari të lidhur me mesazhet kërcënuese me zë, ata e intervistuan kërcënuesen në shtëpinë e saj, thuhej në ankesë. FBI tha se ajo pranoi se kishte dërguar mesazhet kërcënuese dhe konfirmoi se numri i përkiste asaj dhe askush tjetër nuk kishte qasje në atë celular.

XS
SM
MD
LG