Lidhje

SHBA, beteja për të drejtën e abortit në shtetin Uajoming 


Abortion Indiana
Abortion Indiana

Gjykata e Lartë amerikane vendosi t’i japë fund të drejtës kushtetuese për abort, duke ua lënë shteteve ta rregullojnë me ligj këtë çështje. Materiali i korrespondentes së Zërit të Amerikës, Katherine Gypson na sjell detaje rreth betejës që po zhvillohet në shtetin Uajoming për sa i takon së drejtës për abort.

SHBA, beteja për të drejtën e abortit në shtetin Uajoming
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Gjykata e Lartë amerikane i dha fund këtë vit të drejtës kushtetuese për abort duke rrëzuar një vendim historik që datonte qw nga viti 1973. Tashmë janë shtetet ato që vendosin mbi këtë çështje.

“Qeveria federale nuk ishte parashikuar kurrë të merrej me çështjet e kujdesit shëndetësor, ato u transferuan tek çdo shtet. Shtetet sigurisht kanë fuqi të marrin vendime, veç nëse Kushtetuta parashikon që qeveria federale të ketë përgjegjësi të veçanta të renditura. Kjo u jep qytetarëve tanë një mundësi të shkojnë të votojnë për vlerat që ata përfaqësojnë në kutinë e votimit”, thotë Sarah Parshall Perry, bashkëpunëtore ligjore e “Heritage Foundation”.

Përpara vendimit të Gjykatës së Lartë tridhjetë e dy shtete amerikane kishin ligje që i jepnin fund qasjes ndaj abortit ose e kufizonin procedurën. Në këtë listë ishte dhe shteti Uajoming, ku qasja kufizohej vetëm tek një klinikë. Një klinike të dytë, që do të hapej këtë verë, iu vu zjarri nga një person ende i paidentifikuar. Zjarri dogji pothuajse të gjitha pajisjet brenda ndërtesës.

Julie Burkhart, e cila ishte drejtuese e kësaj klinike ka luftuar fort që në shtetin ku ajo jeton të mos hiqet e drejta për abort.

“Është shumë e frikshme dhe rrëqethëse të dish se organet e mia riprodhuese nuk janë të miat. Por ti je në dorë të shtetit në të cilin jeton, ku varet se sa agresive janë politikat ndaj grave. Është tepër rrëqethëse të mendosh se ne, gratë, nuk kemi mbrojtje të barabartë sipas ligjit”, thotë ajo.

Sondazhet tregojnë se publiku amerikan nuk i mbështet kufizimet totale për abortin, por mënyrat se si mund të vendosen ligjet ndryshojnë nga shteti në shtet.

“Shtetet në thelb do të bëjnë një vlerësim nëse duhet të ekzistojë e drejta për abort apo jo. Disa nga shtetet aktualisht janë në pritje të rezultateve të votimit për zgjedhjet e planifikuara për në nëntor. Shtetet si Kalifornia dhe Vermonti, për shembull, kanë në fletëvotimet e tyre një amendamente që garantojnë të drejtën për abort, të tjera që nuk lejojnë atë”, thotë Sarah Parshall Perry, bashkëpunëtore ligjore e “Heritage Foundation”.

Zgjedhësit në Kansas refuzuan kufizimet ndaj abortit gjatë një votimi në muajin gusht. Votuesit në Miçigan do të përballen me zgjedhje të ngjashme këtë nëntor. Tenesi, Teksasi dhe Ajdoha e ndaluan abortin në pothuajse të gjitha rastet muajin e kaluar.

Por në Karolinën e Jugut javën e kaluar, disa ligjvënës republikanë u bashkuan me demokratët për të parandaluar miratimin e një ligji që kufizon abortet në të gjitja rastet.

“Fakti është se unë nuk dua që dikush në këtë dhomë të marrë vendime nëse unë jetoj apo vdes”, tha senatorja republikane Katrina Shealy.

Sipas ekspertëve beteja për të drejtën e abortit në këtë shtet Uajoming, është pothuajse e sigurt se do të shkojë drejt Gjykatës së Lartë të shtetit, ku të gjithë gjyqtarët janë emëruar nga guvernatorët republikanë.

XS
SM
MD
LG