Lidhje

Kosovë, dështojnë përpjekjet për t’i dhënë fund grevës në sektorin publik


Kosovë, greva
Kosovë, greva

Një takim ndërmjet Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe kryeministrit, Albin Kurti, të martën nuk i dha fund grevës në sektorin publik që ka nisur me 25 gusht.

Kosovë, dështojnë përpjekjet për t’i dhënë fund grevës në sektorin publik
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:20 0:00

Mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punonjësit në administratën publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, janë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat.

Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë nga 50 euro shtesë prej muajit shtator.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jashaj, tha pas takimit se ai ishte përmbajtjesor por nuk solli ndryshime.

“Temë e nxehtë ishte edhe pakoja të cilën ata e kanë dhënë pa diskutim me neve, por ne insistuam që kjo shuma e përmendur e cila nuk është pranuar nga asnjë grevist në Kosovë të lëvizë, ne ishim të gatshëm të bëjmë edhe këtu një kompromis të vogël për hir të situatës, por qeveria mbeti te shuma e paralajmëruar me pakon”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këmbëngulja për shumën prej 100 eurosh paraqet moskokëçarje për shëndetin financiar të Kosovës, ndërsa theksoi veprimet e qeverisë për të ndihmuar qytetarët për t'u përballur me krizën ekonomike.

“Kanë kërkuar 100 euro, ka qenë zero, ne kemi thënë 50 por ata duan ‘o krejt o hiç’. Nuk është e drejtë kjo logjikë e shantazheve dhe e bërjes pazar, nuk bën pazare kryeministri”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se gjatë takimit qeveria ka paraqitur edhe një ofertë me tri pika, ndërsa akuzoi këshillin grevist se nuk e ka trajtuar atë me seriozitet.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra përfaqësuesve të këshillit të grevës, për të cilat ata neve na premtuan se do të pyesin anëtarësinë. Pra neve na u tha në takim që për këtë ofertë të qeverisë do të pyetet anëtarësia, por sa dolën nga takimi deklaruan për media që greva vazhdon. Kur e pyetën anëtarësinë?”, tha kryeministri Kurti.

“Ne do t’i prezantojmë anëtarësisë përmes njerëzve tanë situatën e re pas takimit, por po them në takim nuk morëm asgjë pozitive dhe kjo nënkupton se në këtë situatë anëtarësia prapë do t’i thotë jo dhe prap do të jemi në situatë si kjo tani”, tha zoti Jasharaj.

Për shkak të grevës mbi 300 mijë nxënës nuk kanë nisur ende mësimin që rëndom fillon më 1 shtator.

Ekspertë të arsimit dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e vlerësojnë këtë si shkelje të së drejtës themelore për arsim, ndërsa tërheqin vërejtjen për pasojat e një bllokade të tillë të sistemit arsimor.

Klevis Vaqari, nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, psikologe me profesion, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se fëmijet janë pala më dëmtuar.

“Ne ndodhemi në një situatë kritike aktualisht për shkak se vijmë pas dy vitesh pandemi me një proces po themi të parregullt për arsye që kanë qenë përtej nesh dhe absolutisht të mirëkuptueshme. Mirëpo ky është një vit i tretë ku ne po vazhdojmë të shkelim të drejtën themelore që fëmijët e kanë të garantuar me Kushtetutë, Konventë Ndërkombëtare dhe të gjithë legjislacionin vendor”, tha zonja Vaqari.

Efektet mbi nxënësit janë të shumta thotë ajo.

“Sigurisht që shkakton dëm të madh në procesin e të nxënit në tërësi te nxënësit, presion, ankth, stres në momentin kur shkollat rifillojnë, kur mund të ketë orë të zgjatura, mund të ketë më shumë teste për t’u arritur planprogrami sepse në fund të fundit do të shikohen pastaj ato objektivat administrative dhe sërish dëmi do të vazhdojë të jetë te nxënësit”, theksoi zonja Vaqari.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard që vëzhgon sistemin arsimor në vend thotë se grevat e vazhdueshme e kanë dëmtuar sistemin arsimor në Kosovë.

“Është e paarsyeshme dhe padrejtë por edhe e pafalshme pasi që rikujtoj jemi në vitin e katërt ku procesi mësimor nuk fillon në shtator dhe jemi në një cikël gjithherë të ripërsëritshëm të ndërprerjes së procesit mësimor, të kërcënimeve që nga 2003-ta”, tha ai.

Zoti Qehaja vlerëson se ligji për grevat duhet të rishikohet dhe të mos lejohen grevat në arsim fare në të ardhmen.

“Nuk guxon dhe nuk duhet të mendohet që nxënësit të shfrytëzohen si mjet i reagimit sindikal. Pra është e dosmosdoshme që t’i kthehemi ligjit për greva, ta rishikojmë veprimtarië e mësimdhënësit si veprimtari me interes shtetëror në mënyrë që ta kufizojmë reagimin sindikal për të mos u përsëritur situate të tilla në të ardhmen”, tha ai.

Arsim Sahiti, baba i dy fëmijëve bën thirrje për një marrëveshje sa më të shpejtë që do të mundësonte rikthimin e nxënësve në bankat e shkollës.

“Zgjidhja është që t’i lënë armiqësitë ndërmjet vete sepse kjo është armiqësi, nuk është kërkesë. Nëse një profesor del dhe ankohet se nuk ka të ardhura, rrogën time ja jap vetëm që fëmijët e mi të zhvillojnë mësim, sepse unë nuk kam mundësi t’i dërgoj në shkolla private, jemi duke jetuar në këtë shtet e duhet t’i kemi parasysh kërkesat e cdo qytetari. Përse fëmijtë e mi mos të mbajnë mësim, me cfarë të drejte u ndërpritet mësimi?”, thotë ai.

Ekspertë të arsimit në Kosovë thonë se një ditë e humbur e mësimit në Kosovë ka rol shumë më të madh se në vendet tjera për shkak të ngecjes në cilësi që e karakterizon sistemin arsimor të vendit. Vlerësimet ndërkombëtare nxjerrin në pah se nxënësit në Kosovë janë 7.8 vite prapa në cilësi nga bashkëmoshatarët në vende të tjera.

XS
SM
MD
LG