Lidhje

SHBA, paraqitet projektligji që përcakton Rusinë vend që mbështet terrorizmin


U.S. Senators Graham and Blumenthal speak during an interview with Reuters in Kyiv
U.S. Senators Graham and Blumenthal speak during an interview with Reuters in Kyiv

Një senator demokrat dhe një republikan paraqitën një projektligj të mërkurën, i cili nëse do të miratohej, do të përcaktonte Rusinë si një vend që mbështet terrorizmin, një përcaktim i nxitur nga Ukraina, por që kundërshtohet nga administrata e Presidentit Joe Biden.

"Nevoja për këtë masë tani është më urgjente se kurrë më parë", tha senatori demokrat Richard Blumenthal, një nga hartuesit e projektligjit, në një konferencë shtypi, duke përmendur vrasjet e civilëve dhe "shtypjen brutale, mizore" në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus.

Senatori republikan Lindsey Graham, një tjetër hartues i projektligjit, tha se përcaktimi do të dërgonte një sinjal të fortë mbështetjeje për Kievin, por edhe për aleatët e Shteteve të Bashkuara, dhe do të vendoste masa të ashpra ndëshkuese ndaj Rusisë, si lejimi që ajo të paditet në gjykatat amerikane për veprimet e saj në Ukrainë dhe forcimi i sanksioneve.

Nuk është e qartë se kur ose nëse masa mund të hidhet në votim. Por të dy senatorët kanë mbështetur këtë nismë në muajt e fundit dhe kanë vizituar Kievin në korrik për ta promovuar atë.

Atyre u janë bashkuar edhe ligjvënës të tjerë që kanë shprehur mbështetjen për idenë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësja demokratja Nancy Pelosi tha në korrik se ky ishte një verpim i "vonuar shumë".

Presidenti Biden ka thënë se nuk planifikon të ndërmarrë një vendimi të tillë për Rusinë. Zyrtarët e administratës thonë se ata nuk mendojnë se kjo është mënyra më efektive për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj dhe se mund të pengojë dërgimin e ndihmave humanitare në Ukrainë.

Moska i ka thënë Uashingtonit se marrëdhëniet diplomatike do të dëmtoheshin keq dhe madje mund të prisheshin nëse Rusia do të shtohej në listën e vendeve shtetërore që mbështesin terrorizmin, në të cilën aktualisht përfshihen Irani, Koreja e Veriut, Kuba dhe Siria.

Projektligji i paraqitur nga senatorët Blumenthal dhe Graham përfshin një dispozitë që do t'i lejonte një presidenti të Shteteve të Bashkuara ta heqë Rusinë nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin, pasi të vërtetojë para Kongresit se Moska nuk po e bën më një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG