Lidhje

Pelosi dënon sulmet e Azerbajxhanit ndaj Armenisë


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve së Shteteve të Bashkuara Nancy Pelosi dënoi fuqishëm të dielën, ato që ajo i quajti sulme të paligjshme kufitare, të Azerbajxhanit ndaj Armenisë.

Zonja Pelosi i bëri komentet gjatë një vizite në Armeni, pjesë e një përpjekjeje për të forcuar mbështetjen ndaj këtij vendi.

Duke folur në qytetin antik të Jerevanit, zonja Pelosi tha se vizita e saj kishte rëndësi pas "sulmeve të paligjshme dhe vdekjeprurëse nga ana e Azerbajxhanit në territorin armen", sulme që nxitën përleshje kufitare duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 200 personave.

"Ne i dënojmë fuqishëm këto sulme", tha zonja Pelosi përkrah kryetarit të parlamentit armen Alen Simonyan, i cili javën e kaluar, shprehu pakënaqësi mbi përgjigjen e një aleance ushtarake të udhëhequr nga Rusia, ndaj kërkesës së Jerevanit zyrtar për ndihmë.

Zonja Pelosi tha se ishte e qartë se luftimet kufitare u shkaktuan nga sulmet azere ndaj Armenisë dhe se kronologjia e konfliktit duhej bërë e qartë sikurse tha ajo.

Një ndarje e tillë e fajit mbi konfliktin shkon përtej asaj që Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë deri më tani në publik. Sekretari i Shtetit Antony Blinken shprehu shqetësime mbi luftimet dhe bëri thirrje për qetësi, por nuk foli mbi përgjegjësi.

Armenia thotë se Azerbajxhani bombardoi të paktën gjashtë vendbanime armene brenda kufirit, pak pas mesnatës së 13 shtatorit, duke sulmuar infrastrukturën civile dhe ushtarake me dronë dhe armë të kalibrit të rëndë. Jerevani zyrtar thotë se ky ishte një agresion i paprovokuar.

Azerbajxhani, i mbështetur nga Turqia, i hedh poshtë këto pretendime duke shtuar se se njësitë armene të sabotazhit u përpoqën të minonin pozicionet e Azerbajxhanit, çka nxiti përgjigjen e ushtrisë. Por Armenia i quan këto si dezinformata të Bakusë.

Të dielën Azerbajxhani reagoi ndaj komenteve të zonjës Pelosi duke i quajtur ato "të paargumentuara e të padrejta, e një goditje serioze ndaj përpjekjeve për paqe".

XS
SM
MD
LG