Lidhje

Apeli lë në qeli tre të arrestuarit për spiunazh në Gramsh


Gjykata e Apelit në Durrës vendosi të mbajë në qelitë e paraburgimit dy shtetas rusë dhe një ukrainas, të cilët u arrestuan një muaj më parë nën akuzat e spiunazhit në afërsi të ish Uzinës së Armëve në Gramsh.

Apeli la kështu në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë të Elbasanit, duke hedhur poshtë kërkesat e të pandehurve për masa më të lehta dhe për t’u lënë të lirë.

Shtetasi ukrainas, Fedir Alpatov, hodhi poshtë akuzat për spiunazh sot gjatë një seance gjyqësore në Apel, që zgjati mbi dy orë.

Shtetasit rusë Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofleeva hodhën poshtë akuzat për spiunazh në shërbim të ndonjë agjencie, duke përsëritur se janë të pafajshëm dhe se duheshin liruar.

Tre të arrestuarit u arrestuan teksa u përpoqën të hynin në territorin e ish Uzinës së Armëve në Gramsh, pasi njëri prej tyre sulmoi me spray djegës ushtarët, që ruanin objektin, teksa ata po mundoheshin ta kapnin.

Ata kanë përsëritur se janë blogerë në rrjetet sociale të pasionuar pas industrive të vjetëruara dhe publikojnë vazhdimisht fotografi nga uzina dhe fabrika ku arrijnë të hyjnë.

Më shumë e njohur për këtë veprimtari është Svetlana Timofleeva, e cila ka publikuar për një kohë të gjatë foto nga objekte të braktisura industrial.

33 vjeçarja Timofleeva, e cila banon në Gjeorgji pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, është një blogere e njohur për foto nga objektet ushtarake.

Fotografitë e saj nga brenda një fabrike raketash në afërsi të Moskës patën jehonë jo të vogël në vitin 2012.

Përfaqësues të qeverisë shqiptare pohuan fillimisht se “dyshohej për veprimtari spiunazhi” të tre të arrestuarve.

Por disa ditë më pas theksuan se uzina, ku ata u arrestuan nuk ishte ndonjë objekt me rëndësi ushtarake, dhe se “ishte qesharake të mendohej se mund të bëhej spiunazh”, duke iu afruar asaj uzine të braktisur.

Megjithatë, hetimet vazhdojnë dhe Apeli i mbajti sërish në paraburgim tre të rinjtë, nën akuzat për sigurim informatash në bashkëpunim dhe goditje për shkak të detyrës.

XS
SM
MD
LG