Lidhje

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut padit Donald Trumpin dhe kompaninë e tij 


Procuradora-geral de Nova Iorque, Letitia James , durante conferência de imprensa apresentando caso de fraude financeira contra ex-presidente Doandl Trump e filhos adultos
Procuradora-geral de Nova Iorque, Letitia James , durante conferência de imprensa apresentando caso de fraude financeira contra ex-presidente Doandl Trump e filhos adultos

NJU JORK (AP) - Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut ngriti padi ndaj ish-presidentin Donald Trump dhe kompanisë e tij të mërkurën, nën akuzat për mashtrim biznesi, ku përfshihen disa nga pasuritë e tyre më të çmuara, si pronat në Manhatan, Çikago dhe Uashington.

Padia e Prokurores së Përgjithshme Letitia James, e paraqitur në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut, vjen pas përfundimit të një hetimi penal trevjeçar ndaj Trumpit dhe Organizatës Trump. Tre nga fëmijët tij të rritur, Donald Jr., Ivanka dhe Eric Trump, janë gjithashtu të pandehur, së bashku me dy drejtues të vjetër të kompanisë, Allen Weisselberg dhe Jeffrey McConney.

Padia synon të godasë thelbin e asaj që e bëri Trumpin të famshëm, duke hedhur një hije të zezë mbi pasurinë dhe imazhin që ai ka përcjellë gjithë karrierës së tij - fillimisht me ndërtimin e pasurive të patundshme, e më pas si drejtues i serialeve televizivë "The Apprentice" dhe " Celebrity Apprentice”, dhe më së fundmi si president.

Zonja James, një demokrate, i bëri të ditura hollësitë e padisë në një konferencë shtypi të mërkurën.

Sipas akuzës Donald Trumpi "i ka fryrë në mënyrë të rreme vlerat e pasurive të tij me miliarda dollarë".

Synimi, thotë zyra e Prokurores së Përgjithshme, ishte të krijohej imazhi prej miliarderi i Trumpit dhe të rriste vlerën e pronave të tij, kur kjo i jepte atij një avantazh, ndërsa në raste të tjera për qëllime tatimore, ta ulte vlerën e pasurisë.

"Ky hetim zbuloi se për vite të tëra, Donald Trumpi ka kryer akte të paligjshme, duke fryrë vlerën e pasurive të tij, për të mashtruar bankat dhe banorët e shtetit të Nju Jorkut", tha zonja James në konferencën për shtyp. "Të pretendosh se ke para që nuk i ke, nuk të bën mjeshtër të artit të marrëveshjes, por mjeshtër të vjedhjes”, tha prokurorja, duke iu referuar titullit të librit të Trumpit mbi “artin e marrëveshjes”.

Prokurorja James po kërkon të heqë menaxherët e tanishëm të pasurive të zotit Trump, që kontrollohen prej tij dhe t’i zëvendësojë ata me drejtues të pavarur për jo më pak se pesë vjet për të monitoruar pajtueshmërinë, raportimin financiar, vlerësimet dhe të dhënat e Organizatës Trump për huadhënësit dhe autoritetet tatimore.

Prokurorja James tha se hetimi i saj zbuloi shkelje të mundshme kriminale, duke përfshirë falsifikim të dhënash, pasqyra financiare falco, mashtrime me kompanitë e sigurimeve, si dhe mashtrime bankar. Ajo tha se zyra e saj po ia referon këto gjetje prokurorëve federalë dhe Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme.

Alina Habba, një avokate e zotit Trump, tha se padia "nuk është e përqëndruar as në fakte dhe as në ligj - përkundrazi, ajo është e përqëndruar vetëm në avancimin e synimeve politike të Prokurores së Përgjithshme" të Nju Jorkut.

"Është shumë e qartë se Zyra e Prokurores së Përgjithshme ka tejkaluar autoritetin e saj ligjor, duke u futur në transaksione ku nuk ka ndodhur absolutisht asnjë shkelje", tha avokatja Habba. "Ne jemi të sigurt se sistemi ynë gjyqësor nuk do ta pranojë këtë abuzim të pakontrolluar të autoritetit, dhe ne mezi presim të mbrojmë klientin tonë kundër çdo pretendimi të pabazë të Prokurores së Përgjithshme”

Padia e prokurores James vjen në mes të një numri sfidash ligjore të paprecedenta për ish-presidentin, duke përfshirë një hetim të FBI-së për trajtimin e të dhënave të klasifikuara nga zoti Trump dhe hetimet mbi përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Organizata Trump do të dalë në gjyq në tetor në një çështje penale ku akuzohet se ai u ka dhënë përfitime të pataksuara drejtuesve lartë, duke përfshirë shefin e financave Weisselberg, i cili ka përfituar më shumë se 1.7 milionë dollarë shpërblime shtesë.

Weisselberg, 75 vjeç, u deklarua fajtor më 18 gusht. Marrëveshja e tij për pranimin e fajësisë kërkon që ai të dëshmojë në gjyqin e kompanisë përpara se të fillojë dënimin me pesë muaj burg. Nëse shpallet fajtore, Organizata Trump mund të përballet me një gjobë prej dyfishin e shumës së taksave të papaguara.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, ka kryer një hetim penal paralel për të njëjtat praktika biznesi që janë në qendër të padisë penale të paraqitur sot.

Në të njëjtën kohë, FBI po vazhdon të hetojë ruajtjen e dokumenteve sekrete qeveritare nga zoti Trump në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida dhe një juri e madhe speciale në Xhorxhia po heton nëse zoti Trump dhe të tjerë u përpoqën të ndikonin mbi zyrtarët zgjedhorë të shtetit.

E gjithë drama ligjore po luhet përpara zgjedhjeve të nëntorit për në kongres, ku republikanët po përpiqen për të fituar kontrollin e njërës ose të të dy dhomave të Kongresit.

Ndërkohë, Donald Trumpi ka hedhur bazat për një fushatë të mundshme presidenciale në vitin 2024 dhe ka akuzuar administratën e Presidentit Joe Biden se e ka vënë në shënjestër për të dëmtuar shanset e tij politike.

Ligji shtetëror i Nju Jorkut lejon një gamë të gjerë procedurash juridike në bazë të kodid civil kundër kompanive që kryejnë mashtrime, duke përfshirë heqjen e licencave për të kryer biznes në shtet, largimin e drejtuesve të kompanive si dhe kthimin ose heqjen e përfitimeve të fituara në mënyrë të paligjshme.

Zyra e kryeprokurores James mund të kërkojë gjithashtu të ndalojë Trumpin nga përfshirja në lloje të caktuara biznesesh, siç ndodhi në janar kur një gjykatës e ndaloi përgjithmonë ish-drejtorin ekzekutiv të kompanisë së barnave Martin Shkreli nga industria farmaceutike.

XS
SM
MD
LG