Lidhje

Xhorxhia do të zëvendësojë paisjet e votimit që u prekën nga persona të paautorizuar


Në këto pamje të marra nga kamerat e sigurisë tregohet ekipi i ekzaminuesve të kompjuterave në zyrat zgjedhore më 7 janar 2021, në bashkinë Coffee

ATLANTA, Xhorxhia – Sekretari i Shtetit i Xhorxhias njoftoi të premten se do të zëvendësohen paisjet zgjedhore në njërin qark, pasi tek to patën qasje persona të paautorizuar dy muaj pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Një ekip ekzaminuesish kompjuterash të punësuar nga aleatë të ish-Presidentit Donald Trump udhëtuan në atë periudhë drejt Bashkisë Coffee, rreth 320 kilometra në juglindje të Atlantas, më 7 janar 2021. Një përfaqësues i kompanisë ka thënë se ata bënë kopje të plota të serverit qendror të sistemit të menaxhimit të zgjedhjeve, si dhe të pjesëve të tjera përbërëse të sistemit zgjedhor. Më vonë gjatë atij muaji, dy persona që ishin përfshirë në përpjekjet për të diskredituar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, gjithashtu kaluan disa orë brenda zyrave zgjedhore duke patur edhe qasje tek paisjet.

Ish-Presidenti Trump dhe mbështetësit e tij qarkulluan pretendime të pavërtetuara për disa makineri votimi, pasi humbi përpjekjen për t’u rizgjedhur. Autoritetet kanë thënë se nuk ka patur prova për probleme të zgjeruara me paisjet e votimit.

Sekretari i Shtetit Brad Raffensperger tha se një hetim mbi qasjen e paautorizuar tek pajisjet nga ish-zyrtarët e zgjedhjeve të Bashkisë Coffee po vazhdon.

"Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të ndëshkohet me forcën e tij të plotë", tha zoti Raffensperger në një njoftim për shtyp. "Por zyrtarët aktualë të zgjedhjeve në Bashkinë Coffee duhet të ecin përpara me zgjedhjet e vitit 2022, dhe ata duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë pa këtë shpërqëndrim”.

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë "ish-zyrtarët e zgjedhjeve në Bashkinë Coffee duke lejuar qasjen e individëve të paautorizuar tek pajisjet që sipas ligjit të Xhorxhias duhet të ishin siguruar", thuhet në njoftim. Pamjet janë bërë publike në përgjigje të fletëporosive të bëra nga paditësit në një proces gjyqësor të zgjatur kundër zyrtarëve të zgjedhjeve në këtë shtet, ku pretendohet se makinat e votimit me ekran me prekje të këtij shteti nuk janë të sigurta.

Serveri i menaxhimit të zgjedhjeve të këtij qarku dhe stacioni qendror i punës i skanerit u zëvendësuan më parë në qershor 2021, thanë zyrtarët. Qarku do të marrë 100 makineri të reja votimi me ekran me prekje, 100 printera, 10 skanera zonalë, 21 tableta që përdoren për të regjistruar votuesit dhe karta të reja memorieje dhe disqe të jashtëm që do të instalohen dhe testohen përpara se të fillojë votimi i hershëm muajin e ardhshëm.

Marilyn Marks, drejtore ekzekutive e Koalicionit për Mirëqeverisje, një ndër paditësit për makinat e votimit, tha se serveri i menaxhimit të zgjedhjeve dhe stacioni qendror i skanerit duhet të zëvendësohen gjithashtu. Ajo tha se kjo është për shkak se ato janë përdorur me pajisjet e tjera potencialisht të kontaminuara në zgjedhje që nga zëvendësimi i tyre vitin e kaluar.

Gjithashtu, zyrtarët zgjedhorë në qarkun më të populluar të shtetit, brenda dhe përreth Atlantës, thanë të premten se kishin pushuar nga puna një punonjës pasi mësuan se "informacionet e identifikueshme personale u ndanë me një individ jashtë organizatës", raportuan mediat.

"Individi përgjegjës për incidentin nuk punon më me Bashkinë Fulton", thuhet në një njoftim për shtyp. “Bashkia Fulton është e angazhuar për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe punonjësve. Çdo individ i prekur nga ky incident do të njoftohet dhe do të marrë shërbime të monitorimit të kreditit”.

XS
SM
MD
LG