Lidhje

Greqia i kthehet qymyrit për të përballuar krizën energjitike


Giant solar water heating system
Giant solar water heating system

Luahtjet në tregun e energjisë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, kanë sjellë një rritje të prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri në Bashkimin Evropian dhe një ngadalësim të përkohshëm në mbylljen e termocentraleve të vjetëruara.

Greqia vendosi një afat kohor ambicioz për t'i dhënë fund dekadave të varësisë nga linjiti - qymyri me cilësi të ulët - por ka rinisur përsëri shfrytëzimin e tij si përgjigje ndaj një rritjeje të madhe të çmimeve të gazit natyror.

Ekspertët argumentojnë se kthimi tek qymyri do të jetë jetëshkurtër, duke shërbyer vetëm deri sa të rritet kapaciteti i burimeve të ripërtëritshme dhe të zgjerohet infrastruktura e re e energjisë dhe lidhja me rrjetin.

Greqia i kthehet qymyrit për të përballuar krizën energjitike
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:28 0:00

Që kur shpërtheu lufta në Ukrainë, zhurma që vjen nga ekskavatorët gjigantë që nxjerrin lëndë në minierën më të madhe të qymyrit në Greqi janë bërë më të shpeshta.

Qymyri, i trajtuar prej kohësh si lëndë djegëse tradicionale në Evropë, po ndihmon tani kontinentin të ruajë furnizimin me energji elektrike dhe të përballet me krizën e shkaktuar nga lufta dhe rritja dramatike e çmimeve të gazit natyror.

Energjia elektrike e prodhuar nga qymyri në Bashkimin Evropian u rrit me 19% në tremujorin e katërt të vitit 2021 krahasuar me një vit më parë, më shpejt se çdo burim tjetër energjie.

Rikthimi e kapi Greqinë në një moment të vështirë në tranzicionin e saj.

Për dekada, vendi mbështetej në minierat e brendshme të linjitit, një lloj qymyri me cilësi të ulët dhe me emetim të lartë, por së fundmi përshpejtoi planet për mbylljen e termocentraleve të vjetra dhe kalimin në burimet e rinovueshme.

Një park diellor i sapopërfunduar, një nga më të mëdhenjtë në Evropë, është vetëm gjysmë ore me makinë nga miniera më e madhe e linjitit në vend, pranë qytetit verior të Kozanit.

E quajtur zyrtarisht Qendra e Linjitit në Maqedoninë Perëndimore, miniera në Kozan tani punëson 1,500 punëtorë, nga 6,000 në vitet 1990.

Parku diellor prej 400 hektarësh aty pranë punëson vetëm 20.

Sindikata e punëtorëve të energjisë në Greqi po i bën presion qeverisë që të përdorë qymyrin për një kohë më të gjatë, në vend që të përdorë importet e gazit që tani janë më të shtrenjta.

"Në vendin tonë, çështja e tranzicionit është padyshim një biznes që lidhet me interesat e gazit natyror", thotë kreu i sindikatës George Adamidis.

Sindikata dëshiron të zgjasë jetën e termocentraleve moderne me qymyr me rreth pesë vjet, deri në vitin 2035, dhe madje të rrisë pjesën e tij të prodhimit të energjisë elektrike nga aktualisht më pak se 15% në rreth 25%.

Pavlos Deligiannis, një punonjës në pension i minierës, u kërkoi autoriteteve të zgjasin periudhën e ndërmjetme dhe t'u japin industrive alternative lehtësira tatimore.

“Menaxherët, qeveria dhe shteti nuk u kujdesën siç duhet. Duhet të kesh zgjidhje alternative para se të heqësh dorë nga qymyri. Nëse ke një biznes që do ta mbyllësh, duhet të dish se çfarë do bësh më pas. Këtu fillimisht mbyllim programet dhe më pas mendojmë çfarë të bëjmë".

BE-ja e sheh fundin e epokës së qymyrit në Greqi si të pashmangshëm dhe shumë ekspertë argumentojnë se kthimi i shkurtër tek qymyri do të shërbejë vetëm si një ndalesë për energjitë e rinovueshme dhe modernizimin e rrjetit.

Elif Gunduzyeli, është një koordinatore e lartë e politikave energjetike në Rrjetin Evropian për Veprimin për Klimën , një koalicion i grupeve të fushatës mjedisore me bazë në Bruksel.

"Që BE-ja të bëjë pjesën që i takon për të arritur objektivin 1.5 gradë të Marrëveshjes së Parisit, qymyri duhet të hiqet gradualisht deri në vitin 2030, dhe karburanti deri në vitin 2035. Kjo dukej vërtet ambicioze disa vite më pare. Tani nuk shihet si një ide radikale. Ne po arrijmë atje ngadalë, thotë ajo.

Popullsia e Kozanit dhe rajonit përreth po zvogëlohet aktualisht më shpejt se mesatarja kombëtare, në një vend me një nga popullsitë me plakjen më të shpejtë në botë.

Sotiris Kapellos, Drejtor Operativ në kompaninë Hellenic Petroleum Renewable Energy Sources thotë se investimi në burimet e rinovueshme do të çojë në vende të reja pune në sektorin e gjelbër.

"I gjithë ky prodhim i gjelbër mund të kontribuojë në përftimin e produkteve të tjera të gjelbra si hidrogjeni, makinat elektrike dhe të gjitha këto produkte që do të vijnë në vitet e ardhshme. Këto do të krijojnë më shumë vende pune për vendasit dhe gjithashtu për ekonominë më të gjerë si për Greqinë edhe për Evropën gjithashtu”.

Integrimi i Evropës Perëndimore pasluftës u nxit kryesisht nga qymyri.

Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut i formuar në vitin 1951 përfundimisht evoluoi në formimin e Bashkimit Evropian.

Por konsumi i BE-së është eklipsuar prej kohësh nga Kina, e cila përdor më shumë qymyr sesa pjesa tjetër e botës e marrë së bashku.

Rregulloret në Evropë dhe mënyra se si ai arrin objektivat ndërkombëtare të klimës, megjithatë, vëzhgohen nga afër nga fuqitë e tjera industriale, së bashku me mënyrën se si arrin të shpëtojë ekonomitë lokale në komunitetet ku po zhduken minierat e qymyrit.

XS
SM
MD
LG