Lidhje

Shqipëri, zhvillimi i qyteteve dhe interesat e banorëve


Shqipëri, zhvillimi i qyteteve dhe interesat e banorëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Qytetet e mëdha në Shqipëri po përjetojnë një intensitet të lartë të ndërtimeve, të cilat po ndikojnë me shpejtësi në formën e qyteteve dhe jetesën e banorëve. Sipas Institutit të Statistikave vetëm gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti janë dhënë 736 leje ndërtimi me një sipërfaqe prej rreth 2 milion metër katrorë.

Numrin më të madh të lejeve të ndërtimit e kanë qytetet Durrës, Tiranë, Fier, Elbasan, Korçë, Shkodër dhe Berat. Arkitektja Doriana Musaj thotë se faza aktuale e zhvillimit të qyteteve në Shqipëri i ngjan asaj të viteve 60-të në Amerikë, me një zhvillim të vrullshëm të territorit.

“Amerika e atyre viteve përqasej pikërisht me zhvillimin e shpejtë të qytetit, me autostrada që kalonin përmes qytetit, kullëzimin, pallatizimin. Pra, ndryshimin e një stili jetese nga raporti njerëzor me qytetin në një raport tashmë makina me qytetin. Kemi sfida të vazhdueshme në këtë moment, pavarësisht se modeli ynë i zhvillimit është, mund të them, unikal siç jemi edhe neve si shqiptarë”.

Kjo, sipas arkitektes Musaj, ka bërë që qytetet të humbasin kujtesën kolektive, identitetin kombëtar, trashëgiminë kulturore dhe, sidomos raportin e qytetarit me qytetin, vendimmarrësit dhe me vetë politikën. Ajo thotë se, në këto zhvillime të vrullshme të qyteteve nuk është arritur të shtohet roli i qytetarit, që është një element bazë i demokracisë.

“Të kesh demokraci qytetare do të thotë të kesh zë në qytet, të mos jesh spektator, mos ta shikosh zhvillimin nga televizori, të dëgjohesh kur ti proteston, ankohesh. Qeveria, shteti, bashkia duhet të ndalojë, të reflektojë dhe, të gjitha ankesat, mund të jenë edhe idetë apo këshillat e qytetarëve, duhet të implementohen”.

Për arkitektin Zef Çuni, vitet e fundit është bërë përparim me qendrat e qyteteve si dhe me hartimin e planeve të përgjithshme rregulluese për bashkitë. Por administratat vendore janë shumë mbrapa me hartimin e planeve të detajuara vendore, përmes të cilave harmonizohen interesat e qytetarëve me ato të ndërtuesve.

“Bashkitë, kur bëjnë planet e detajuara vendore, duhet të diskutojnë edhe me qytetarët, duhet të bëjnë dëgjesa publike për të mësuar se cilat janë interesat e qytetarëve, si mund të ndërtohet. Faktikisht, kjo lloj marrëdhënie nuk ekziston siç duhet”.

Gjatë 30 viteve të fundit Shqipëria ka humbur energji të shumta me ndërtimet e pastudiuara, pa kriter dhe të paligjshme, të cilat kanë lënë gjurmë në zhvillimin e pjesës më të madhe të qyteteve shqiptare. Përgjegjësi për këto zhvillime kaotike mbajnë edhe administratat publike, të cilat vazhdojnë të jenë të papërgatitura për t’ju përgjigjur si interesave të ndërtuesve, ashtu edhe të qytetarëve.

“Bashkitë kanë qenë të papërgatitura për t’ju përgjigjur ritmit të ndërtimeve dhe nevojave për strehim edhe për objekte të tjera social-kulturore. Dhe, ky është problemi kryesor. Administratat e bashkive nuk i përgjigjen në kohë investimeve, investitorëve me projekte, plane dhe leje ndërtimi”, thotë arkitekti Zef Çuni.

Është e rëndësishme, sipas arkitektëve, që në këtë fazë të ndërtimeve t’i kushtohet kujdes trashëgimisë kulturore, sepse nuk mund të ketë një qytet pa histori. Ndërtimi, thonë ata, duhet të jetë në funksion të jetës dhe nevojave të njeriut dhe jo njeriu në funksion të ndërtimit.

XS
SM
MD
LG