Lidhje

Prokurorët në gjyqin e grupit “Oath Keepers”: planifikuan rebelim të armatosur më 6 janar


Steward Rhodes, themeluesi i grupit "Oath Keepers" gjatë një fjalimi (20 prill 2013)

UASHINGTON – Themeluesi i grupit ekstremist “Oath Keepers” dhe katër bashkëpunëtorë të tij planifikuan një “rebelim të armatosur” për të mos lejuar transferimin e pushtetit presidencial më 6 janar 2021, i thanë prokurorët të hënën jurisë në seancën e parë të çështjes më serioze gjyqësore në lidhje me sulmin ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Ndihmës Prokurori Jeffrey Nestler bëri deklaratën e tij fillestare në gjykatën federale të Uashingtonit, në procesin gjyqësor ndaj Stewart Rhodes-it dhe personave të tjerë të akuzuar për konspiracion rebelimi. Ata akuzohen për një komplot një javor për të ndalur transferimin e pushtetit nga republikani Donald Trump tek demokrati Joe Biden.

“Synimi i tyre ishte të ndalnin me të gjitha mënyrat e nevojshme transferimin e ligjshëm të pushtetit presidencial, përfshirë duke marrë armët kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, tha ai. “Ata hartuan një plan për një rebelim të armatosur për të tronditur themelet e demokracisë amerikane”.

Grupi “Oath Keepers” e planifikoi haptazi konsiracionin e tyre, tha prokurori Nestler, duke përmendur letrat e hapura që zoti Rhodes publikonte në faqen në internet të këtij grupi. Ata gjithashtu përdorën aplikacione të kriptuara, si Signal, për të dërguar në fshehtësi mesazhe dhe ndonjëherë edhe për t’u takuar, tha ai.

“Ata nuk shkuan tek Kapitoli për ta mbrojtur apo për të ndihmuar; shkuan për ta sulmuar”, tha ai.

Edhe avokatët mbrojtës do të kenë mundësinë për t’iu drejtuar jurisë, anëtarët e së cilës u përzgjodhën javën e kaluar, pasi u pyetën për ditë me radhë për mendimet e tyre për sulmin, për mbështetësit e ish-Presidentit Trump dhe çështje të tjera. Gjykatësi refuzoi të hënën një kërkesë të avokatëve mbrojtës për ta zhvendosur gjyqin jashtë Uashingtonit, ku ata mendojnë se juria e përzgjedhur anon kundër të akuzuarve.

Edward Tarpley, avokati i drejtuesit të grupit "Oath Keepers" (27 shtator 2022)
Edward Tarpley, avokati i drejtuesit të grupit "Oath Keepers" (27 shtator 2022)

Kjo çështje gjyqësore është me shumë rëndësi për Departamentin e Drejtësisë, që arriti të sigurojë për herë të fundit një dënim gjyqësor për konspiracion rebelimi gati 30 vite më parë.

Rreth 900 persona janë akuzuar dhe qindra prej tyre janë dënuar për sulmin ndaj Kapitolit. Pjesëmarrësit kaluan me forcë rrethimin e policisë, u angazhuan në përleshje trup-me-trup me oficerët e policisë, thyen dritaret dhe pezulluan përkohësisht çertifikimin e fitores në zgjedhje të Joe Biden-it.

Por, grupi “Oath Keepers” janë të parët që akuzohen në gjyq për konspiracion rebelimi, një akuzë e rrallë e epokës së Luftës Civile që shoqërohet me 20 vite burgim. Procesi gjyqësor pritet të zgjasë disa javë.

Prokurorët i thanë jurisë se rebelimi i këtij grupi anti-qeveri nuk ishte një shprehje spontane e zemëratës prej zgjedhjeve, por pjesë e një plani të hartuar për ta ndalur zotin Biden të merrte detyrën në Shtëpinë e Bardhë.

Në gjyq, së bashku me zotin Rhodes nga Granbury, i Teksasit, janë Kelly Meggs, drejtuese e degës në Florida të grupit “Oath Keepers”; Kenneth Harrelson, një tjetër anëtar i këtij grupi; Thomas Caldwell, nga Virxhinia, ish-oficer i shërbimit të zbulimit të Marinës; dhe Jessica Watkins, e cila drejtonte një grup paraushtarak nga Ohajo. Ata përballen edhe me akuza të tjera.

Anëtarët e grupit "Oath Keepers" duke qëndruar në pjesën qendrore të Kapitolit më 6 janar 2021
Anëtarët e grupit "Oath Keepers" duke qëndruar në pjesën qendrore të Kapitolit më 6 janar 2021

Prokurorët thonë se zoti Rhodes filloi të planifikonte përmbysjen e fitores së zotit Biden vetëm pak ditë pas zgjedhjeve.

Ai i paraqiti grupit në nëntor një plan të detajuar të bazuar tek kryengritja popullore që rrëzoi presidentin e ish-Jugosllavisë dy dekada më parë, tha zoti Nestler.

Deri në muajin dhjetor, thanë autoritetet, zoti Rhodes dhe grupi “Oath Keepers” e kishin kthyer vëmendjen tek çertifikimi i votave në Kolegjin Elektoral më 6 janar.

Prokurori lexoi disa mesazhe, për të cilat tha se tregonin që grupi u bë gjithnjë e më i dëshpëruar për t’u hedhur në veprim ndërsa afronte data. Në ditën e Krishtlindjes, zonja Meggs shkruajti se do të duhej t’i bënin senatorët të ndjeheshin shumë në vështirësi. Zoti Rhodes u shpreh në një mesazh se zoti Trump “duhet ta dijë se nëse ai nuk vepron, atëherë ne do të veprojmë”. Kur e pyetën për mundësinë e një lufte civile, zoti Caldwell u përgjigj se “po e filloj mbrëmjen e 6 janarit, nëse është e nevojshme”.

Grupi “Oath Keepers” organizoi stërvitje, përfshirë një sesion që u regjistrua me video ndërsa shoqërohet nga muzikë rock, si dhe mblodhi “armë luftarake” në një hotel në Virxhinia, në mënyrë që t’i sillnin me shpejtësi në kryeqytet nëse do të ishte e nevojshme, thanë prokurorët.

Në sallën e gjyqit u shfaqën video dhe fotografi të anëtarëve të grupit “Oath Keepers”, të veshur me helmeta, jelekë antiplumb dhe paisje të tjera ushtarake ndërsa marshonin drejt Kapitolit dhe hynin me forcë brenda godinës.

Avokatët mbrojtës pritet të paraqesin argumenta se juria nuk mundet ta shpallë zotin Rhodes fajtor për rebelim konspiracioni, pasi të gjitha veprimet që ai ndërmori përpara 6 janarit ishin në përgatitje të urdhërave që priteshin nga ish-Presidenti Trump – urdhëra që nuk u dhanë ndonjëherë.

XS
SM
MD
LG