Lidhje

Teknologjia kundër dronëve mbron objektet e rëndësisë së veçantë


Ndërsa dronët ushtarakë dhe civilë po bëhen gjithnjë e më të pranishëm, ka shqetësime në rritje se disa prej tyre mund të rrezikojnë aeroportet, burgjet apo rrjetin energjitik. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, njofton rreth një kompanie që prodhon teknologjinë kundër dronëve, e cila mund të identifikojë dhe të ndalë dronët e rrezikshëm.

Teknologjia kundër dronëve mbron objektet e rëndësisë së veçantë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Në vitin 2013, Kancelarja gjermane Angela Merkel po merrte pjesë në një aktivitet në mjedise të jashtme, kur një dron që po qëndronte mbi zonë u ul papritmas pranë saj, duke ndërprerë shkurtimisht edhe aktivitetin që po zhvillohej.

Askush nuk u lëndua, por incidenti ngriti shqetësime për sfidat e sigurisë nga dronët në zona të ekspozuara, ndërkohë që këto mjete të telekomanduara sapo kishin filluar të zinin vend në treg.

“Nuk ndodhi asgjë, por ishte një dron që tërhoqi vëmendjen. Mund ta imagjinoni se çfarë mund të ndodhte në një situatë të tillë pa masat e duhura mbrojtëse”, thotë Mary-Lou Smulders, drejtuese e marketingut në kompaninë “Dedrone”.

Incidenti u bë shkak për krijimin e kompanisë “Dedrone”, e cila është shndërruar tashmë në një ndër kompanitë kryesore për teknologjinë kundër dronëve dhe ka klientë në mbi 35 vende të ndryshme.

“E pikasim dronin kryesisht nëpërmjet sinjaleve të frekuencave të radios që kapen nga sensorët tanë. Mund të mbledhim edhe të dhëna nga sensorë të tjerë, si radarë, sensorë akustikë dhe madje edhe me kamera”, thotë zonja Smulders.

Klientët e kompanisë “Dedrone” instalojnë programe vëzhguese që lajmërojnë personelin e sigurisë kur një dron i dyshimtë ndodhet në hapësirën e tyre ajrore.

Nëse një dron konsiderohet i rrezikshëm, pajisjet monitoruese...i mundësojnë personelit të sigurisë të gjejë edhe vendndodhjen e drejtuesit të dronit.

Në rrethana ekstreme, si në rast lufte, klientët kanë mundësinë që ta çaktivizojnë vetë dronin me një “armë” që bllokon frekuencat.

“Quhet DroneDefender, dhe është një transmetues me frekuenca radiofonike. Kur e kemi pikasur dronin, ia drejtojmë armën, tërheqim këmbëzën dhe kështu ndërpritet sinjali mes dronit dhe kontrolluesit të tij”, thotë John Knag, zëvendëspresident për teknologjinë në kompaninë “Dedrone”.

Industria e teknologjisë kundër dronëve po rritet së bashku me industrinë e prodhimit të dronëve, thonë ekspertët.

“E konsiderojmë teknologjinë kundër dronëve si një pjesë shumë integrale të ekosistemit të dronëve komercialë. Na nevojitet teknologjia kundër dronëve për të mbrojtur objekte të posaçme, dhe që kështu të vazhdojë të rritet edhe industria e dronëve komercialë”, thotë Miriam McNabb, nga kompania “Dronelife”.

Ndërsa vazhdon të shtohet përdorimi i dronëve, po kështu do të rriten edhe përpjekjet për të mbrojtur hapësirat e ekspozuara ndaj atyre që kanë qëllime keqdashëse.

XS
SM
MD
LG