Zyrtarët ukrainas njoftuan se një breshëri raketash ruse goditi disa ndërtesa banimi e objekte të tjera në qytetin e Zaporizhias, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Si pasojë e sulmit një ndërtesë shumëkatëshe u shemb pjesërisht.
Në javët e fundit, Rusia ka goditur në mënyrë të përsëritur qytetin jugor, i cili shtrihet në pjesën e kontrolluar nga Ukraina, të një rajoni që presidenti rus Vladimir Putin aneksoi javën e kaluar në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar .
Sulmet gjatë natës vijnë pas një shpërthimi të shtunën që shkaktoi shembjen e pjesshme të urës që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë, duke dëmtuar kështu një arterie të rëndësishme furnizimi për Rusinë e cila po përballet me shume probleme në frontin e luftës në Ukrainë.