Mjekja Lindita Haxhija u diagnostikua me kancerin e gjirit 9 vite më parë. Ajo thotë se iu desh të përballet me sfidat e kësaj sëmundje, që fatkeqësisht po prek shumë gra, si dhe të ndajë përvojën e saj edhe me gra të tjera.
“Kjo është një lloj sfide që kam marrë në vetvete për ta ndarë me të gjithë me qëllim që sadopak të ndikojë në ndërgjegjësimin e këtyre grave. Historia ime ka filluar që në vitin 2013 kur u diagnostikova me këtë lloj sëmundje, por që luftova dhe jam kjo që jam sot. E përballova, tashmë ndjehem krejt e fortë dhe vazhdoj jetën pa asnjë problem. Bëj një jetë komode”, thotë ajo.
Mjekja Haxhija drejton drejtorinë e shëndetit parësor, ku përfshihen tre qarqet veriore, ai i Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit. Gjithashtu, ajo është themeluese e klubit “Taraboshi”, një bashkim i grave dhe të rinjve aktivë në sportet në natyrë si dhe në mbrojtjen e mjedisit. Ajo thotë se, përmes shembullit të saj dëshiron t’i përcjellë grave të prekura nga kanceri i gjirit, mesazhin që të luftojnë fort dhe ta jetojnë jetën.
“Mesazhi im është krejt i qartë; për të gjitha ato gra, që sot janë diagnostikuar me këtë lloj sëmundje, do t’u thosha që të luftojnë fort dhe të dalin me sukses nga kjo lloj lufte, pasi shpresa është mjaft e madhe. Ndërkohë, të gjithë grave të tjera do t’u thosha që, jo vetëm në muajin tetor, por ndihuni dhe bëjeni prioritet jetën tuaj në çdo ditë të vitit”, thotë ajo.
Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen në zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje. Mesazhi i këtij viti për muajin rozë është “Vrapo për jetën”. Në Shqipëri çdo vit diagnostikohen me kancer të gjirit rreth 700 gra e vajza. Pas Tiranës, rajoni i Shkodrës është ndër më të prekurit përsa i përket rasteve të diagnostikuara si pozitivë. Ndërsa në Shqipëri rreth 8% e grave që kryejnë mamografinë rezultojnë me kancer të gjirit, ky tregues në Shkodër ka arritur në mbi 11%. Drejtorja Rajonale e OSKSH, Shkodër, Suida Kuka, thotë se Shkodra ka një numër të lartë të grave të diagnostikuara me kancer të gjirit.
“Gjatë 6 mujorit të parë të vitit janë kryer 723 mamografi, ku 79 prej tyre kanë dalë pozitivë. Është një shifër relativisht e madhe, një shifër që na bën të reflektojmë më tepër si dhe është një thirrje akoma më shumë për gratë që të mos hezitojnë dhe mos ta vonojnë këtë ekzaminim”, thotë ajo.
Mjekja onkologe Kleva Qeraj thotë se vërehet një kurbë në rritje e rasteve të diagnostikuara me kancerin e gjirit dhe, fatkeqësisht, po preken moshat nga 45-50 vjeç. Kjo, sipas saj, për shkak të kryerjes me vonesë të mamografisë dhe diagnostikimit në fazë të vonë të sëmundjes.
“Në pjesën më të madhe të rasteve diagnostikohen në stadin e tretë të sëmundjes. Fatkeqësisht, disa në stadin e katërt, pasi në disa raste i neglizhojnë edhe simptomat, ose stigmatizohen, apo kanë frikë të paraqiten pranë mjekut”, thotë ajo.
Mjekët rekomandojnë vetëkontrollin e gjirit dhe kryerjen e mamografisë. Të gjithë spitalet rajonalë janë pajisur me mamografi, ndërsa dy mamografi janë të lëvizshme. Por, megjithë fuqizimin e këtij sektori dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit, sipas mjekëve, ka ende shumë raste të hezitimit të grave për të bërë mamografinë, sidomos në zonat malore në veri të vendit, ku edhe paragjykimet janë më të mëdha.