Lidhje

Turqi: 41 të vdekur nga një zjarr në një minierë qymyri


Numri i të vdekurve pas një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën veriore Bartin të Turqisë të premten ka arritur në 41, tha të shtunën presidenti turk Tajip Erdogan.

Më herët, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se 58 nga 110 personat që punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi u shpëtuan nga ekipet ose dolën vetë.
"Aty vazhdon ende zjarri, minatorët dhe ekipet kanë bërë sakrifica të mëdha për të mos lënë vëllezërit e tyre atje," tha zoti Soylu në minierë.

Ministri i Energjisë Fatih Donmez tha më vonë se zjarri në minierë ishte vënë përgjithësisht nën kontroll, por përpjekjet për izolimin e tij po vazhdonin pas incidentit që ndodhi 350 metra nën tokë. Zoti Soylu tha se një minator doli nga spitali ndërsa 10 ishin ende duke marrë trajtim në Bartin dhe Stamboll.

Autoritetet thanë se prokurorët turq kanë nisur një hetim për shkakun e incidentit, por sipas të dhënave fillestare shpërthimi ishte shkaktuar nga metani në minierë. Në vitin 2014, 301 punëtorë u vranë në fatkeqësinë më të rëndë ndonjëherë në minierat e Turqisë në qytetin perëndimor të Somas, 350 km në jug të Stambollit.

XS
SM
MD
LG