Lidhje

Berlin, Takimi Botëror për Shëndetin fillon punimet


Kancelari gjerman Olaf Scholz duke mbajtur fjalimin e tij

Në Berlin ka filluar punimet Takimi Botëror për Shëndetin që synon të krijojë energjitë e duhura dhe bashkimin e forcave për zhvillimin global shëndetësor. Në këtë takim treditor marrin pjesë udhëheqës botërorë, drejtues të shëndetësisë, por edhe të sektorëve të tjerë nga mbarë bota.

Berlin, Takimi Botëror për Shëndetin fillon punimet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Takimi Botëror për Shëndetin i vitit 2022 filloi zyrtarisht punimet në Berlin të djelën. Tematika kryesore e ceremonisë çelëse ishte “Ngritja e Shëndetit Global në një Nivel të Ri”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Ndërveprimi ka rëndësi, bashkëpunimi ka rëndësi, dhe kjo nënkupton përtej kufijve të vendeve, sipas disiplinave të ndryshme në shkenca, politikë dhe shoqëri... Ndërveprimi dhe bashkëpunimi janë çfarë përfaqëson Takimi Botëror për Shëndetin”, tha Kancelari Scholz.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se bota ka nevojë të bashkohet përballë rreziqeve të reja.

“Ngritja e shëndetit global në një nivel të ri do të thotë se na duhet një marrëveshje e re globale bazuar në një vizion të përbashkët. Pikërisht në momentin kur bota duhej të bashkohej për t’u përballur me rrezikun e përbashkët, pandemia COVID-19 u karakterizua nga mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha zoti Ghebreyesus.

Ndërsa në fjalën e tij të regjistruar paraprakisht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për veprim.

“Sistemi ynë i pabalancuar financiar në rang global po i lë pas dore vendet në zhvillim. Kjo duhet të ndryshojë. Të gjithë njerëzit kanë nevojë për qasje gjithëpërshirëse, të paanshme dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore dhe një mbulim universal shëndetësor. Dhe në këto kohëra vështirësish të mëdha dhe stresi, duhet të sigurohemi që shëndeti mendor nuk është një aspekt i neglizhuar i kujdesit shëndetësor”, tha zoti Guterres.

Fondacioni Bill & Melinda Gates gjithashtu njoftoi se do të dhurojë 1.2 miliardë dollarë për të mbështetur përpjekjet për t’i dhënë fund poliomelitit në mbarë botën.

“Poliomeliti është një ilustrim tronditës i pabarazisë shëndetësore. Ka diçka jashtëzakonisht të padrejtë që fëmijët të përballen me një sëmundje që është zhdukur pothuajse në mbarë botën, por jo në vendin e tyre”, tha Bill Gates, bashkëkryetar i fondacionit.

Jashtë takimit protestonin dhjetëra aktivistë. Personeli i sigurisë u përpoq t’ua ndalonte hyrjen në godinë, por disa prej tyre ia dolën mbanë. Ata aktivizuan alarmin për zjarrin dhe të tjerë ngujuan veten në hyrje duke përdorur lëndë ngjitëse.

XS
SM
MD
LG