Australia anuloi njohjen e Jeruzalemit perëndimor si kryeqytet të Izraelit duke ndryshuar vendimin e qeverisë së mëparshme.
Ministrja e Jashtme Penny Wong, tha se qeveria e Partisë Laburiste të qendrës së majtë vendosi të njohë përsëri Tel Avivin si kryeqytet. Zonja Wong tha se kabineti ripohoi gjithashtu se statusi i Jerusalemit duhet të zgjidhet në negociatat e paqes me Izraelit dhe palestinezëve.
Kryediplomatja tha se Australia mbetet e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje dypalëshe të konfliktit midis izraelitëve dhe palestinezëve.
“Ne nuk do të mbështesim një qasje që minon këtë perspektivë,” tha zonja Wong.
Ish-kryeministri konservator Scott Morrison e njohu zyrtarisht Jerusalemin perëndimor si kryeqytet të Izraelit në dhjetor 2018, megjithëse Ambasada Australiane mbeti në Tel Aviv.
Australia, në atë kohë mori vendim ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi ta çojë ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem. Presidenti Joe Biden e ka mbajtur ambasadën në Jerusalem, ndërsa SHBA-të janë tërhequr nga ndërmjetësimi i saj dikur intensiv midis izraelitëve dhe palestinezëve. Palët nuk kanë mbajtur bisedime thelbësore për paqen në më shumë se një dekadë.
Zoti Morrison dhe kryeministri i Izraelit, Yair Lapid, shprehën zhgënjimin për ndryshimin e qëndrimit të Australisë. Statusi i Jeruzalemit mbetet një nga çështjet më të mprehta në konfliktin dhjetëvjeçar mes Izraelit dhe palestinezëve.
“Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm i pandarë i Izraelit dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë”, tha kryeministri izraelit Lapid në një deklaratë.
Zyrtari i lartë palestinez Hussein Al-Sheikh tha se ai e përshëndet vendimin e Australisë “dhe përkushtimin e saj se e ardhmja e sovranitetit mbi Jerusalemin varet nga zgjidhja e përhershme e bazuar në legjitimitetin ndërkombëtar”.
Në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor, aty ku gjenden vendet e shenjta të tre besimeve fetare, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Palestinezët duan që Jeruzalemi Lindor të shpallet kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm.
Janë pak vende që i janë bashkuar SHBA-së në njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit, përfshirë Kosovën dhe Guatemalën.