Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të viti 2021 nga mbështetës të ish-presidentit Donald Trump njoftoi të premten se i ka kërkuar atij që të vërë në dispozicion të komisionit dokumente dhe të dëshmojë nën betim para tij.
Komisioni ka kërkuar që dokumentet t'i dorëzohen komisionit deri më 4 nëntor ndërsa zoti Trump të paraqitet për të dëshmuar rreth datës 14 nëntor.
"Siç u dëshmua në seancat tona, ne kemi mbledhur prova masive, mes tyre nga dhjetëra ish-anëtarë të personelit tuaj, se ju personalisht keni orkestruar dhe mbikëqyrur një përpjekje shumëplanëshe për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe për të penguar tranzicionin paqësor të pushtetit", shkruhej në letrën që komisioni i ka dërguar zotit Trump të premten.
Shtatë anëtarët demokratë dhe dy republikanë të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve votuan unanimisht në 13 tetor në favor të thirrjes për të dëshmuar të zotit Trump, çka mund të çojë në ngritjen e akuzave penale ndaj ish-presidentit nëse ai nuk e respekton kërkesën e komisionit.